Vendimi i Sekretarit amerikan të Shtetit për të marrë vendimin e parë “non grata” për një politikan aktiv, siç është Tom Doshi është një sinjal i qartë dhe me disa mesazhe të forta. Si mund të përkthehet politikisht vendimi amerikan për deputetin shkodran?
Tom Doshi është një politikan aktivqë nga viti 2005 kur u zgjodh deputet i Partisë Socialiste nga Fatos Nano në zonën e Velipojës në Shkodër.
Doshi, edhe me nënshtetësi australiane – një precedent që tregon ironitë e mëdha të fatit të individit në tranzicionin shqiptar – dhe biznesmen i njohur në fushën farmaceutike e jo vetëm, pati një miqësi me Ilir Metën në fillim si pasojë e një prej ortakëve të tij, dhe më pas me Fatos Nanon.
Doshi arriti që në vitin 2006 të bëhet pajtuesi i Ilir Metës dhe Edi Ramës që u bënë bashkë kundër PD-së në zgjedhjet lokale të vitit 2007.
Kështu, jo falë ndonjë inteligjence, por qartazi staturës së tij prej pareliu, ai u bë faktor politik i rëndësishëm kur u largua nga PS në atë kohë; bëri partner politik Nard Ndokën e Partisë Demokristiane, të cilit i siguroi një grup parlamentar prej 8 deputetësh, me të cilët Ndoka i rrëmbeu Sali Berishës ministrin e Shëndetësisë, pikërisht pas zgjedhjeve të 2007-s.
Dhe Tom Doshi e tregoi veten se nuk është thjesht një lojtar periferik por një “Kalë” politik i sërës së lartë që lëviz gurët në mënyrë preçize.
Doshi arriti të fuste një përçarje në PD-në e Shkodrës kur u bë demokristian dhe vetëm falë një lufte të fortë të Jozefina Topallit dhe kreut të komunës Bushat, Zef Hila, ai nuk arriti të vërë kontrollin mbi demokratët e Shkodrës.
Në këtë atmosferë, BIRN nëpërmjet një shkrimi të Besar Likmetës, publikon një shkrim ku për Tom Doshin theksohej se ka blerë diplomën e juridikut në Universitetin e Tetovës.
Toma, i prekur nga shkrimi, apo ndoshta nga jehona e shkrimit, sillet malsorçe me gazetarin Besar Likmeta duke ia lënë një shenjë në fytyrë.
Këtu lind incidenti që do të rezultonte fatal për deputetin veteran që ka folur shumë pak në historinë e parlamentarizmit shqiptar, por që fjala dhe vepra e tij kanë pasur një peshë shumë të madhe specifike në të tjera terrene.
John Withers, ambasadori amerikan në Tiranë sulmon ashpër Tom Doshin dhe i kërkon PS-së që ta largojë deputetin.
Në kabllogramet e publikuar më pas nga Wikileaks, Doshi cilësohet pjesë e krimit të organizuar.
Në zgjedhjet e vitit 2009, Tom Doshi rikthehet në PS-së në zonën e Shkodrës. E majta merr 4 deputetë ne sistemin e ri proporcional rajonal.
Kreu i listës ishte Ilir Beqja, por vetëm në letra. Doshi është njeriu që kontrollon gjithçka: emëron drejtuesit e PS-së dhe cakton kandidatët edhe për lokalet 2011.
Në vitin 2012 Tom Doshi nuk zbaton vendimin e grupit të PS-së për të bojkotuar seancën e zgjedhjes së Adriatik Llallës si kryeprokuror dhe është i vetmi nga opozita që voton kreun e organit të akuzës.
Votën e shpall hapur dhe e cilëson Llallën si “njeri të mire”.
Në zgjedhjet e 2013-s bëhet lideri i qarkut dhe arrin të marrë pas vetes një biznesmen kontraversal që krijoi një biçim partie demokristiane, Mark Frrokun.
Arrin për herë të parë fitoren e së majtës në qarkun Shkodër. PS+LSI+Mark Frroku marrin 6 deputetë kundrejt 5 të PD-së.Thyerja e bastionit të PD-së i jep Doshit fuqinë e liderit, por Rama nuk i jep akses ekzekutiv.Pas një viti rebelohet ndaj kryeministrit dhe lëshon bombën se Ilir Meta ka paguar njerëz që ta vrasin.
PD bëhet aleat me Tomën dhe arrin jo thjesht të bëjë betejë për shkarkimin e Ilir Metës, por me votat e influencës së Doshit rifiton zgjedhjet lokale në Shkodër, ato të 2015-s.Rama e përjashton përfundimisht Tom Doshin nga PS-ja.
Deputeti i fortë së bashku me të ndjerin Dritan Prifti bëjnë pakt me Skënder Gjinushin.Në zgjedhjet e 25 qershorit 2017, Tom Doshi, edhe pse në luftë me LSI-në dhe Ditmir Bushatin kreun e listës së PS-së në Shkodër, arrin të dalë forcë e tretë politike në qark.
Konfirmohet një potencë elektorale dhe e shpall votën e tij si mbështetje për qeverinë e Edi Ramës.Nga qershori i vitit të shkuar e deri më sot nuk është folur shumë për Tomën.Ka pasur shkrime që e lidhin kultivimin e dendur të hashashit në Dukagjin si influencë direkte e Doshit, por nuk ka kurrë akuzë zyrtare për këtë, qoftë dhe nga opozita.
Për të ardhur tek dita e djeshme ku Departamenti i Shtetit e cilëson “non grata” deputetin e zgjedhur nga listat e Partisë Socialdemokrate.I hetuar për rastin e rastit “Durim Bami” me akuzën se ka sajuar atentatin ndaj tij, deri tani nuk ka përfunduar procesi.
Por burime diplomatike bënë të ditur se Tom Doshi është një nga 12 emrat që Departamenti i Shtetit do të shpallë shumë shpejt si pjesë e “Listës së Zezë” të SHBA-së.Listë që do të kapë politikanë e zyrtarë nga të gjitha palët politike në vend. Këto burime flasin për një tërmet të vërtetë politik në vend.
Por mesazhi me Tomën është shumëdimensional. Doshi nuk doli asnjëherë kundër reformës në drejtësi; madje e votoi pa hezitim. Por ai u ndëshkua si pjesë e “dosjeve të vjetra” amerikane. Ato që nga viti 2005.
Që do të thotë se Uashingtoni nuk e ka lënë prapa axhendën e saj dhe po riaktivizon qëndrimet politike që ka mbajtur në vite: që me Gërdecin, 21 Janarin, dosjen CEZ-DIA dhe shumë e shumë skandale të tjera.
Amerikanët thjesht kanë hapur “Dosjen Shqipëria” dhe tani po zbatojnë pikë për pikë të gjitha qëndrimet që kanë mbajtur në vite.Ky është tërmeti i vërtetë politik në vend, lëkundjet e të cilit sapo kanë filluar…/tesheshi.com/