Gjykata e Tiranës i ka dhënë sërish frymëmarrje Sali Berishës. Ashtu siç gazeta “SOT” e paralajmëroi një ditë më parë se ish-kryeministri është alarmuar nga thirrja si dëshmitar në gjyqin e Izet Haxhisë dhe ka nisur presionet, dje u dhanë faktet e para.
Në orën 14:30 Gjykata e Tiranës do të merrte vendimin nëse Sali Berisha do të jetë dëshmitar në gjyqin e Izet Haxhisë apo jo. Por seanca u shty për në datën 6 nëntor pasi prokurori i çështjes Dritan Nushi nuk ka qenë prezent në sallë. Gazeta ka mësuar se arsyeja e mosparaqitjes së prokurorit ka qenë se ai ka pasur temperaturë, më konkretisht 37.8 vija.
Për këtë arsye ai nuk është paraqitur në seancë dhe trupa gjykuese e drejtuar nga Lazër Sallaku ka vendosur ta shtyjë seancën për në datën 6. Gazeta e tha një ditë më parë se Berisha ka nisur manovrat për të mos lejuar përballjen me Haxhinë dhe zvarritjet ditëve të fundit po e dëshmojnë fare qartë këtë gjë. Data 6 do të jetë vendimtare, pasi nëse sërish do të kemi shtyrje të seancës, atëherë është fare e qartë se sistemi i drejtësisë i trembet kësaj dosje dhe se ish-kryeministri po lëviz të gjithë gurët për të qëndrua larg procesit.
Vrasja e Azem Hajdarit cilësohet si vrasja e shekullit, pasi në mënyrë mafioze u ekzekutua një deputet dhe një ndër simbolet e Lëvizjes së Dhjetorit. Por edhe sot, plot 22 vite nga ajo ngjarje sërish nuk ka një panoramë të qartë se përse u vra dhe kush e urdhëroi ekzekutimin. Shpresat janë se në gjyqin e Izet Haxhisë do të zbardhen shumë enigma. Janë të shumtë ata që bëjnë përgjegjës Berishën, ndërsa ky i fundit akuzon Fatos Klosin dhe Izet Haxhinë. Prokuroria dhe avokati i Haxhisë e kanë kërkuar Berishën si dëshmitar.
Por në qëndrimet e tij publike Berisha e ka treguar qartë se ka fobi nga gjykatat. Pas vrasjes ai dha një deklaratë për ambasadën amerikane ku distancohej nga krimi dhe akuzonte Haxhinë me personat e tjerë të arrestuar tani. Pikërisht prokurori dhe Haxhia për këtë deklaratë, kërkojnë të dëshmojë, pasi ajo nuk ka vlerë juridike. Mirëpo Berisha në disa studio televizive deklaroi se ai i ka thënë që në 1998 ato që dinte dhe nuk ka pse i thotë tani.
Gjyqtari i dosjes së CEZ
Pasi prokuroria e thirri si dëshmitar, mësohet se Berisha është alarmuar dhe dje ka paralajmëruar dhe padi apo apelim të kësaj kërkese, duke dëshmuar se nuk do të përballet me Haxhinë. Por si për ironi, fatin e tij do e vendosë sërish gjyqtari Lazër Sallaku.
Ky i fundit ka marrë dy vendime të forta muaj më parë, duke shpëtuar Sali Berishën dhe Lulzim Bashën nga gjykimi. Në janar të këtij viti, ai pranoi kërkesën e prokurorisë për të pushuar çështjen e CEZ. Kuvendi dhe juristi Romeo Kara kishin ngritur një padi ndaj Berishës, djalit të tij dhe disa ish-ministrave, me argumentin se ishte abuzuar me privatizimin e OSSH nga çekët. Prokuroria mbylli hetimet dhe ja dërgoi gjykatës, e cila i pushoi fare.
Një tjetër veprim akoma dhe më i fortë nga Sallaku është ai i lobimeve të Lulzim Bashës. Prokuroria pushoi hetimet për pastrim parash dhe dërgoi për gjykim Bashën për akuzën e falsifikimit të formularëve. Por në seancën paraprake gjyqtari Sallaku pushoi hetimet dhe për këtë akuzë duke nxjerrë të larë Bashën.
Teksa prokurori duket se po jep sinjale se po dorëzohet përballë Berishës, duhet të shihet dhe sjellja e gjykatës. Nëse trupa vendos që nuk ka nevojë për dëshminë e Berishës, atëherë kjo do të jetë një goditje shumë e fortë për sistemin e drejtësisë. Vetë Haxhia, por dhe ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi dhe shumë individë të tjerë deklarojnë me bindje se Berisha është i përfshirë në këtë ngjarje. Po ashtu është ndër personat e parë që u vunë në dijeni mbi ngjarjen.