Pandemia koronavirus izolon pjesën më të madhe të Europës. Në Gjermani hyri në zbatim bllokimi i lehtë, duke bërë që restorantet, baret, kinematë, teatrot dhe aktivitete të tjera të mbyllen për të reduktuar kontaktin mes qytetarëve. Hapur mbesin shkollat dhe shërbimet tregtare.
Izolimi i dytë erdhi me vendim të kancelares, Angela Merkel, pasi vendi po shënon një rritje alarmante, siç e cilësoi liderja gjermane, të rasteve të reja me Covid-19 dhe numrit të viktimave.
Franca konfirmoi edhe njëherë se nuk do të rishikojë vendimin për masën e karantinës në nivel kombëtar. Edhe pse ka disa ditë që vendi është izoluar, numri i rasteve të reja mbetet ende i lartë. Bllokimin kombëtar si masë për të luftuar përhapjen e koronavirusi e zgjodhi edhe Mbretëria e Bashkuar.
Kryeministri Boris Johnson paralajmëroi se niveli i vdekshmërisë nga pandemia do të jetë dyfish më i lartë gjatë dimrit se ai i regjistruar në valën e parë të infeksionit.
Shefi i qeverisë britanike e pranon se disa ligjvënës do ta kritikojnë atë për mosvendosjen e izolimit më përpara. Dhoma e Komunëve do të votojë të mërkurën për vendosjen e një bllokimi kombëtar, që nëse aprovohet, hyn në fuqi të enjten. Në të njëjtën rrugë edhe Zvicra.
Gjeneva është kantoni i parë që mbyllet për shkak të pandemisë koronavirus. Edhe në Austri do të nisë zbatimi i një izolimi të pjesshëm që nga e marta.
Qytetarët nuk do të lejohen të dalin nga banesat prej orës 20 të mbrëmjes deri në 7 të mëngjesit. Baret, restorantet, muzetë, teatrot dhe aktivitete të tjera do të mbyllen për një muaj.