Vera po afron dhe lojtarët e Kombëtares i kanë sytë e veshët nga ofertat. Një ndër ta është Elseid Hysaj, i cili ka rënë në sy të shumë klubeve të mëdha, por gjermanët e Bajernit të Mynihut duket se e kanë seriozisht me mbrojtësin shkodran të Shqipërisë. Do të jetë dueli i madh Juventus-Napoli që do të jetë në fokusin e menaxherëve më të mëdhenj. Vetë mediat italiane shtrojnë pyetjen: Kush është objektivi i emrisarëve të klubit të madh gjerman në këtë ndeshje?
Përgjigja është fare e qartë: Elseid Hysaj, mbrojtësi i krahut të djathtë të Napolit. Klauzola në kontratën e futbollistit shqiptar me Napolin është 50 milionë euro, shifër e përballueshme nga bavarezët. Lajmin e bën të ditur “Tuttomercatoëeb” në Itali. Drejtuesit e Bajernit janë në kërkim të zëvendësuesit të Rafinjës, i cili duket se do ta lërë këtë ekip pas shumë vitesh. Dhe i përzgjedhuri është Hysaj, që do të vëzhgohet nga afër në ndeshjen ndaj Juventusit.
Për lojtarin e Kombëtares Shqiptare është interesuar në janar edhe Arsenali, por në këtë moment Bajerni po lëviz konkretisht dhe nëse Hysaj bind me paraqitjen e tij ndaj Juves, marrëveshja me klubin e madh gjerman do të jetë edhe më pranë. E ardhmja e shkodranit duket larg Napolit, në një klub më të madh evropian dhe me shumë gjasa në Gjermani. Kalimi i tij te Bajerni do të lumturonte shumë shqiptarë, pasi dihet që Bajerni ka shumë tifozë në Shqipëri. Jo vetëm kaq, por do t’i jepte shansin Hysajt të shijonte trofetë, sepse bavarezët janë ekip trofesh në Gjermani dhe në Europë. /Pamfleti Sport