Juristi Romeo Kara ka reaguar ashpër, ndërsa ka shpërthyer në akuza në adresë të presidentit Ilir Meta. Ky i fundit kohë e fundit ka rritur sulmet ndaj mazhorancës, por për juristin Kara kjo gjuhë e përdorur nga presidenti Meta është tendencioze.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, zoti Kara u shpreh se deklaratat e lëshuara nga Meta, kanë si qëllim që të ngjallin frikë tek kundërshtarët, ndërsa theksoi se sipas tij, këto janë presione artificiale.
“Ulërin gjyhnaqari: “Jam nga Skrapari”, dhe i jep kurajo vetes në ditë të qametit. Mendon gjyhnaqari se po tha, “Jam nga Skrapari”, kundërshtarët do ta marrin më seriozisht, këmbët do t’u dridhen dhe shpejt do të ulin kokën dhe do të pranojnë pazarin e radhës.
Nga Skrapari janë dhe djemtë e mi, por nuk janë as hajdutë dhe as ushtarë të gjyhnaqarit. Ai mund të jetë pjesë e Skraparit, por Skrapari nuk është gjyhnaqari dhe as fillon e as mbaron tek ai. Gjyhnaqari është krenar për Skraparin, por a është Skrapari krenar për gjyhnaqarin?
Përpara se të jetë skrapalli, gjyhnaqari është ajo ç’ka është vepra e tij këto 30 vite. Edhe pse president, ai është tashmë një gjyhnaqar, i cili e ka të pamundur të blejë të kaluarën e tij”, shkruan ai.
Ndërkohë përmes një statusi të dytë po në rrjetet sociale, juristi Romeo Kara ka komentuar edhe thirrjet e vazhdueshme të artikuluara nga vetë presidenti Ilir Meta, por edhe eksponentë të opozitës joparlamnetare, për të shpërndarë Parlamentin.
Juristi Kara i prerë dhe i qartë shprehet se nëse presidenti Meta do të tentojë të shpërndajë Kuvendin e Shqipërisë, të cilin ky i fundit e quan ilegjitim, sipas tij, ai do të akuzohet për grusht shteti dhe rrezikon të burgoset.
“E këshillojnë Metën që të shpërndajë Parlamentin. Pikërisht ky veprim do ta dërgonte Metën rrufeshëm në burg për grusht shteti. Parlamenti shpërndahet vetëm nëse nuk formohet qeveria. Ne nuk jemi përpara një rasti të tillë. Edhe pse kanë 30 vjet në politikë, myteberët nuk denjojnë të lexojnë as Kushtetutën dhe jo më të merren me problemet e vendit.
Nuk përjashtohet mundësia që ata e nxisin qëllimisht Metën pikërisht për të përfunduar në burg dhe t’i fryjnë zjarrit të destabilizimit. Saliu i luan mirë fijet në backstage”, shkruan juristi Romeo Kara.