Nga Eduard Zaloshnja
17 prilli mund të futet në histori, si dita kur Shqipërisë iu hap drita jeshile për fillimin e udhëtimit zyrtar drejt anëtarësimit në BE. Kjo datë mund të ketë me rëndësi të madhe, jo vetëm për politikën shqiptare, por edhe për ekonominë.
Dhe ja përse.
Në dy vitet e fundit, rritja ekonomike (e matur përmes rritjes reale të Prodhimit të Brendshëm Bruto – PBB), është gjallëruar në Shqipëri. Në periudhën 2016-2017, rritja reale mesatare tremujore e PBB-së (krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë), ka qenë 3.6%. Ndërsa në vitet 2014-2015, rritja reale mesatare e PBB-së, ka qenë vetëm 2.2%.
Motori kryesor i këtij gjallërimi në rritjen e PBB-së, kanë qenë investimet private dhe publike. Ndërkohë që, rritja reale e PBB-së në dy vjetët e fundit, është luhatur rreth mesatares 3.6%, rritja reale mesatare e investimeve për formimin e kapitalit fiks, ka qenë 7.5%. Investimet private dhe publike, përbëjnë diçka më shumë se çerekun e PBB-së.
Dy projekte gjigante, Trans Adriatic Pipeline (TAP-i) dhe Hidrocentralet e Devollit, kontribuuan më shumë se gjysmën e investimeve në periudhën 2016-2017. Pa këto dy projekte të rëndësishme, rritja reale e PBB-së në Shqipëri, do të kishte mbetur në nivelin modest të mëparshëm, 2.2%.
Sidoqoftë, faza e punimeve intensive në dy projektet e mësipërme, është mbyllur dhe investimet private e publike, nuk duket se do të shërbejnë më si motor i rritjes ekonomike. Në dy tremujorët e fundit të 2017-ës, rritja e PBB-së dhe rritja e investimeve, pothuaj u barazuan me njëra-tjetrën (shihni grafikun shoqërues).
Me përfundimin e TAP-it dhe Hidrocentraleve të Devollit, ekonomia shqiptare do ta ketë të vështirë të kapë rritjen 4% të PBB-së, që është edhe objektivi afatshkurtër i qeverisë. Për t’u arritur ky objektiv, nevojitet një injeksion i fuqishëm i investimeve të reja.
Në fakt, kryeministri Rama po punon intensivisht për tërheqjen investime të reja private.
Kështu, gjatë një vizite në Turqi, ai diskutoi me Presidentin Erdogan rreth një aeroporti të planifikuar për t’u ndërtuar në Vlorë, si dhe për investime turke në infrastrukturë, energji e drenazhim. Sidoqoftë, praktikat me dritëhije që ndoqën investitorët e aeroportit të Vlorës, kur ndërtuan aeroportin e ri të Stambollit, mund të krijojnë probleme në të ardhmen. Dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për investimet e tjera të pritshme nga Turqia.
Në tregun e brendshëm të kapitaleve, kryeministri Rama po përpiqet të tërheqë rreth 1 miliard euro investime nga biznesmenët shqiptarë, përmes skemës Partneritet Publik-Privat (PPP). Sidoqoftë, FMN-ja dhe Banka Botërore kanë këshilluar për mospërdorimin e kësaj skeme, sepse, sipas tyre, qeveria shqiptare ende nuk i ka krijuar strukturat dhe procedurat e nevojshme për vlerësimin e projekteve të pa kërkuara, të ofruara nga biznesmenë të ndryshëm.
Sipas FMN-së, çdo projekt PPP përbën një borxh të ri publik (që do të shlyhet në të ardhmen nga shqiptarët e thjeshtë). Prandaj, ajo sugjeron që qeveria të hartojë fillimisht një masterplan afatgjatë të investimeve publike, dhe vetëm pastaj të zgjedhë një nga një projektet që do të zbatojë (sipas përparësive të përcaktuara në masterplan).
Nisur nga problemet e investimeve të mësipërme, zgjidhja më e mirë dhe e sigurt afatgjatë për Shqipërinë, do të ishte fillimi i negociatave zyrtare për anëtarësimin në Bashkimin Europian. Në një skenar të tillë, Shqipëria mund të tërheqë investime të shëndetshme, ngjashëm me vende të tjera të Europës Lindore, pasi ato filluan negociatat e anëtarësimit në BE.
Por s’duhet të harrojmë se, ndërkohë që teknokratët e BE-së mund të jenë të prirur për fillimin e negociatave, politikanët e vendeve të ndryshme të BE-së, mund të duan të shohin paraprakisht nënshkrimin e një marrëveshje të Shqipërisë me Greqinë (për zgjidhjen e të gjitha problemeve të mbetura pezull), si dhe rezultate konkrete të zbatimit të reformës në drejtësi. Mbi të gjitha, ata mund të duan të shohin shenja të dhënies fund të pandëshkueshmërisë së politikanëve dhe zyrtarëve të lartë.
Thënë ndryshe, politikanët europianë mund të duan të shohin sa më shpejt, disa politikanë e zyrtarë të lartë shqiptarë, në dyert e burgut…