Ndalimi i hyrjes së Tom Doshit në SHBA me familjen e tij, ka krijuar një debat të madh. Pas DASH, ka reaguar edhe ambasada amerikane në Tiranë.
Në një postim në FB, ambasada ka shpërndarë njoftimin e faqes zyrtare të DASH që shkruan: Departamenti i Shtetit po njofton publikisht se ka ndaluar deputetin e Kuvendit të Shqipërisë, Tom Doshi, sipas nenit 7031 (c) të Aktit të Ndarjeve të Përbashkët të FY 2017, të hyjë në Shtetet e Bashkuara, për shkak të përfshirjes së tij në korrupsion.
Pas ish-kryeprokuorit Adriatik Llalla, Tom Doshi bëhet zyrtari i dytë nga Shqipëria të cilit i ndalohet hyrja në Shtetet e Bashkuara për shkak të përfshirjes në raste madhore korrupsioni.
Në bazë të ligjeve amerikane, kur Sekretari i Shtetit, ka informacione të besueshme se një zyrtar i huaj është përfshirë në raste madhore korrupsioni, ose shkelje të të drejtave të njeriut, atij dhe familjes së tij të ngushtë i ndalohet hyrja në Amerikë. Sekretari i Shtetit mund t’ia bëjë njoftimin zyrtarit privatisht ose në publik. Në bazë të njoftimit të sotëm, deputeti Doshi, bashkëshortja e tij Xhovana Doshi, vajza e madhe Briana Doshi, djali në moshë madhore James Doshi dhe fëmijët në moshë të mitur. nuk lejohen të hyjnë në Amerikë.