Prokuroria e Tiranës ka dërguar para gjykatës 2 politikanë të lartë të akuzuar për fshehje pasurie. Gazeta “SOT” ka siguruar raportin vjetor të punës së kësaj prokurorie për periudhën janar-dhjetor 2017 dhe në të janë dhënë statistika për të gjithë veprat penale. Pak ditë më parë gazeta publikoi të dhëna nga raporti i ILDKP, ku bëhet me dije se në prokurori janë paditur disa politikanë të lartë, 6 prej të cilëve deputetë. Por sipas të dhënave të prokurorisë, për vitin 2017 janë vënë nën hetim 7 persona për fshehje pasurie dhe për 2 dosja ka shkuar në gjykatë, ndërsa për 5 të tjerë vijojnë hetimet.
“Mbi bazën e materialeve të referuara nga ana e ILDKP-së, janë referuar gjithsej 7 (17-2016) kallëzime penale, nga ku janë regjistruar 7 (13-2016) procedime, të cilat dy janë dërguar për gjykim dhe 5 janë ende në hetim. Këtë vit numri i materialeve të referuara është më i ulwt se një vit më parë, ndërkohë që është vazhduar t’i jepet rëndësi rritjes së cilësisë dhe plotësimit të tyre me të dhënat e nevojshme në funksion të çështjes penale”, thuhet në raport. Aty janë dhënë detaje dhe sa i takon hetimit të veprave të korrupsionit apo shpërdorimit të detyrës, pastrimit të parave, etj.
Sipas raportit, janë 144 persona të hetuar për këto vepra penale.
“Së pari, janë regjistruar kryesisht (me iniciativë të prokurorit) 18 procedime penale, krahasuar me 16 të një viti më parë. Jemi pothuaj në të njëjtat parametra të ushtrimit të ndjekjes penale kryesisht, si dhe përdorimit me qëllim gjenerimin e procedimeve penale duke përdorur të dhëna të marra nga burime të hapura publike, si dhe të dhë- na me natyrë inteligjente.
Së dyti, janë regjistruar 6 referime të ardhura nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, nga këto në 3 raste është vendosur regjistrimi (dy janë ende në hetim dhe një çështje është pushuar) i procedimeve penale, në 3 raste është vendosur mosfillimi.
Së treti, mbi bazën e materialeve të referuara nga ana e Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave gjatë vitit 2017, janë regjistruar 13 procedime penale, ku 12 procedime penale janë ende në hetim dhe një është transferuar. Në një krahasim me vitin e kaluar jemi në të njëjtat parametra ka të bëjë me veprën penale të kontrabandës nga ana e subjekteve tregtare dhe në asnjë rast nuk ka pasur referime për kontrabandë të kryer nga punonjësit e administratës doganore”, thuhet në raport. Po ashtu bëhet e ditur se nga ana e policisë janë kallëzuar në polici 62 persona për vepra penale të korrupsionit.
Të dhënat mbi kallëzimet
Gjatë vitit 2017 në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë janë regjistruar gjithsej 17.321 kallëzime penale. Kjo shifër është më e lartë se viti 2016, ku janë regjistruar 16.558 kallëzime. Në krahasim me një vit më parë, konstatohet se janë regjistruar 763 kallëzime më shumë. Është ulur numri i kallëzimeve të referuara nga policia ushtarake, ndërkohë është rritur numri i kallëzimeve nga nëpunësit publikë, shtetasit, Policia e Shtetit dhe ato të regjistruara kryesisht.
Gjatë vitit 2017, kallëzimet kanë ardhur në përqindjen më të madhe nga Policia e Shtetit – 15.250 kallëzime, 958 nga shtetasit; 726 nga nëpunësit publikë; 4 nga policia ushtarake, 18 procedime janë filluar kryesisht. Sipas raportit, në rreth 27 % të rasteve kur është vendosur mosfillimi i procedimit e përbëjnë referimet për veprat penale të parashikuara nga Kreu i II-të (Vepra penale kundër personit) dhe rreth 38.6% përbëjnë referimet për veprat penale të parashikuara nga Kreu i III-të (Vepra penale kundër pasurisë). Krahasuar me vitin 2016, numri i përgjithshëm i mosfillimeve është rritur me 1160.