Nga Mero Baze
Më në fund Berisha shkoi tek versioni i vërtetë i vrasjes së Remzi Hoxhës. Pasi ka dhënë disa versione më parë, përse është rrëmbyer Remzi Hoxha, më në fund subkoshienca e tij foli, dhe ai pranoi në një intervistë tek televizioni i djalit të tij, se për Remziun u tha “që donte të vriste Sali Berishën”.
Në fakt, se ka thënë njeri, por Berisha mendon se duke e përsëritur me vete arsyen e vërtetë, e kanë dëgjuar dhe të tjerë.
Në fakt, kjo është arsyeja përse SHIK i Berishës e rrëmbeu Remzi Hoxhën. Në fillim Berisha thoshte me rrethin e afërt të tij, se mund ta ketë rrëmbyer UDB (me targa dhe oficerë të SHIK).
Pastaj thoshte se mund ta ketë rrëmbyer ndonjë shërbim tjetër (me targa dhe oficerë të SHIK), se dyshohej se ishte pjesë e skenarit për një atentat të dështuar ndaj Gligorovit. Për këtë arrestuan dhe Ziso Kristopulin, për të bërë lidhje dhe me grekët kundër ish- presidentit të Maqedonisë.
Por në fakt SHIK e ka rrëmbyer Remzi Hoxhën, pasi ishte shpesh nën shoqërinë e njerëzve të LPK dhe LKÇK, të cilat ishin një bërthamë majtiste, që u bë më pas baza e rezistencës së armatosur në Kosovë.
Në vitin 1994, në një nga traktet “Çlirimi” të LKÇK në Tiranë, u botua një thirrje në formën e ndëshkimit të Sali Berishës, si tradhtar i kombit, që duhet të dilte një “Avni Rustemi që ta vriste”.
Kur trakti u botua, SHIK bastisi shtypshkronjën e “Rilindjes” në Tiranë, se mos ishte shtypur aty. Remzi Hoxha rrinte për çdo ditë tek kafja e gazetës “Rilindja” të Kosovës në Tiranë dhe aty takonte plot nga aktivistët ilegalë të këtyre organizatave.
Kjo mobilizoi SHIK-un të hetonte njerëzit me të cilët shoqërohej kjo bërthamë dhe Remzi Hoxha ishte një mik i tyre.
Ishte tërësisht i papërfshirë në retorikëne tyre. Ishte një burrë i heshtur në punë të vet, që përpiqej të mbijetonte me një biznes modest në Tiranë dhe ruante shoqërinë me themeluesit e UÇK.
Arsyeja pse Remzi Hoxha u rrëmbye një vit më pas nga SHIK, ka qenë me siguri zbërthimi i kësaj celule dhe përndjekja e tyre nga SHIK.
Remzi Hoxha u mbeti në dorë dhe pastaj gjithë historia mori rrjedhë tjetër dhe u investuan në fshehjen e gjurmëve të vrasjes.
Tani Sali Berisha e ka pranuar publikisht këtë motiv dhe është më afër se kurrrë së vërtetës. Këtu nuk ka më alibi.
Nëse siç e ka pranuar vetë, flitej se ai donte të vriste Sali Berishën, siç e ka pohuar tani Berisha, atëhere është pak absurde skenari i mëparshëm i Berishës, që atë e ka rrëmbyer UDB, apo ndonjë shërbim tjetër.
Edhe pse ja njohim dashurinë e UDB-së për të, si dhëndër i Serbisë, UDB nuk vriste njerëz që donin të vrisnin Sali Berishën. Për me tepë që Remziu nuk qe pjesë e kësaj historie.
Për Sali Berishën vret vetëm Sali Berisha. Dhe tashmë subokshienca e tij ja nxorri në dritë motivin e vrasjes.
Ndaj ka rëndësi që për atë histori, ai të pyetet çdo ditë. Se çdo ditë e më tepër, si çdo njeri i zhytur në krim, ai do dorëzohet tek ajo që ka në mendje dhe tek ajo që ka bërë. Siç ndodhi në televizionin e djalit të vet.