Ish-ministra e integrimit nga radhët e LSI, Klajda Gjosha ka qenë e ftuar në studion e Report Tv për të folur rreth zhvillimeve të fundit dhe çeljes së negociatave Shqipëri – BE, ku vendi ynë falë reformave (dhe kryereformës në drejtësi sipas BE-së) është më pranë se kurrë arritjes.
Por, deklarata e Gjoshës ngjallte ilaritet kur thoshte se dialogu politik në Parlament duhet mbajtur larg negociatave.
Se çfarë quan dialog Klajda është e paqartë. Miellin, vezët, ujin, televizorin e Palokës apo çizmen e Monikës?
Megjithatë, kjo është politika, kur bëhet fjalë për punë të mira e arritje, opozita ju thotë qytetarëve se ajo në fakt dialogon. Këta të fundit e gjykojnë lehtë kur kanë parasysh të enjten e kaluar në kuvend.
Ja ç’tha Gjosha:
Ne besojmë që ky është një proces teknik i gjatë, kështu që duhet mbajtur le të themi i ndarë nga i gjithë ai dialogu politik në vend dhe retorika agresive që ne shpeshherë kemi me njëri-tjetrin. Duhet ndarë si proces, duhet parë si një proces që do të lehtësonte jetën e shqiptarëve, që do të ndërhynte në shumë sektorë duke i bërë ato dhe duke sjellë standarde evropiane, duke përafruar legjislacionin dhe nga ana tjetër duke parë një monitorim më të thellë të luftës kundër korrupsionit, kundër krimit të organizuar, të të drejtave të njeriut. Këto janë çështje realisht shumë të prekshme sot dhe që qytetarët shqiptarë i dinë ndoshta edhe më mirë se sa politika, sepse i përjetojnë në çdo ditë të jetës së tyre”, tha Gjosha.