Bashkimi Europian ka ripërsëritur edhe njëherë dje faktin që reforma në drejtësi dhe procesi i vetingut kanë qenë tejet të domosdoshëm për Shqipërinë, në një kohë që gjykatat dhe prokuroritë kanë qenë vatrat më të mëdha dhe burimi i korrupsionit.
Teksa dje ishte i ftuar në një studio televizive, ambasadori i delegacionit të BE në Tiranë, Luigji Soreca u shpreh se reforma në drejtësi s’është e përsosur, por sipas tij, e domosdoshme.
“Reforma në drejtësi nuk është e përsosur, është e qartë që ka qenë një aventurë unike. Ka nevojë për më shumë burime që vetingu të ecë më shpejt. Mendoj që reforma në drejtësi është më shumë se e domosdoshme”, deklaroi ai.
I pyetur nëse duhen lehtësuar disi kriteret, të cilat janë kritikuar nga disa si shumë të ashpra dhe të vështira, ambasadori u përgjigj se kjo do të shihet në një moment tjetër. “Kjo duhet parë në një fazë të dytë, tani përparësia e vërtetë është përfundimi i ngritjes së institucioneve, përparësia numër një për Gjykatën Kushtetuese, të Lartën”, u shpreh ai.
Më tej gazetarja e pyeti ambasadorin lidhur me faktin që BE është pjesë e reformës në drejtësi përmes Misionit Ndërkombëtar të Monitorimit dhe me besimin e disave se BE ka njëfarë konflikti interesi kur bëhet fjalë për suksesin e reformës. “Reforma nuk është e përsosur dhe zbatimi i saj ka treguar se ka hapësirë për përmirësim, është rreptësisht e domosdoshme për Shqipërinë.
Numri i të larguarve është tejet i lartë për të thënë se nuk ka qenë e nevojshme”, tha ambasadori Soreca, duke shtuar se nuk ka qenë në detyrë kur u miratua reforma në drejtësi dhe kjo i ka mundësuar ta shohë reformën dhe në distancë në mënyrë jo të njëanshme. Ndërkohë, Soreca theksoi se Gjykata Kushtetuese është kusht i domosdoshëm për konferencën e parë ndërqeveritare me BE.
“Shqipëria shumë afër përmbushjes së të gjitha kushteve. Mendoj se gjëja e rëndësishme që duhet të jetë dhe të bëhet super urgjente, është përmbushja e vendeve në Gjykatën Kushtetuese. Të kemi dy kandidatë para fundit të vitit, është kusht i domosdoshëm që të bëhet konferenca e parë ndërqeveritare. Të gjithë, shtetet anëtare, ambasada po presin që kjo gjë të ndodhë kështu që është e qartë që është e nevojshme, e domosdoshme, urgjente që të punohet nga Këshilli Emërimit të Drejtësisë dhe të gjitha autoritetet e tjera që të bëjnë të pamundurën në mënyrë që të kapim trenin, në lidhje me Konferencën Ndërqeveritare”, nënvizoi Soreca.