Vizita e ministrit të Jashtëm grek në Tiranë Nikos Dendias është ndjekur me interes në Ankara.
Pak orë pas deklaratave të diplomatit grek ku në qendër pati Turqinë dhe çështjet në Mesdhe, presidenti Erdogan foli për sulme që i vijnë Turqisë nga jashtë dhe sulmoi ashpër Greqinë.
“Ata që shohin ëndrra se ne do të lëmë mënjanë çështjet gjeografike dhe do të heqim dorë nga Mesdheu, po u themi që do t’ju bëhemi makth për një kohë të gjatë.
Do të thyejmë çdo dorë që zgjatet mbi popullin tonë, të drejtat tona, mbi flamurin, tokën dhe ezanin tonë. Shtete që bazohen te paratë apo armët e të tjerëve tani po mbyten me probleme socio-ekonomike.
Ata që flasin për demokracinë në vende të tjera mbyten me pështymën e tyre dhe fshihen pas gishtit. Në rajon po prishen të gjitha ekulibrat.
Ne po shohim se mundësitë janë më të shumta se kërcënimet. Por të tjerët nevrikosen sepse nuk kanë më përballë Turqinë që dikur ia mbyllnin gojën me dy fjalë dhe me standarde të dyfishta.
Disa na sulmojnë me manovra politike dhe të tjerë vjellin vetëm urrejtje. Përpiqen që të na godasin nga jashtë dhe bëjnë plane për të kërkuar njerëz që mund t’i ndihmojnë.
Madje këtë e thonë hapur fare. Pra po mundohen që të ndërhyjnë në vendimet tona në rrugë jo demokratike”.
Veç kërkimeve për naftë dhe gaz që po bëhen në Mesdhe pas rikthimit të anijes sondë Oruc Reis, marrëdhëniet mes dy vendeve janë tensionuar edhe pas stërvitjes tjetër ushtarake që lajmëroi Turqia shumë pranë asaj që Greqia e konsideron vijë e kuqe.
Ndaj, Athina zyrtare deklaroi se do të çojë forca të armatosura në zonë.