Pas polemikave të forta që Ilir Meta pati me Edi Ramën një ditë më parë, lidhur me amanetin që atij i ka lënë Skënderbeu për Shqipërinë, shumë gazetarë u bënë kuriozë të mësonin se çfarë përmban ky amanet.
Bilushi i Metës bëri për publikun detaje nga ky amanet:
“-Ti o Lek Dukagjini mba shënim dhe fute në Kanunin tënd derisa të bëhet Kushtetuta e Shqipërisë, të cilën do t’ia besoj Ilir Metës.
1-Të mbahet shënim që Ilir Meta është kujdestar i gjithë të vrarëve dhe të vdekurëve për vatan nga unë e deri tek të vrarët e 21 janarit 2011.
Ai ka të drejtë t’i dekorojë, ridekorojë dhe t’i shpallë paraardhës të LSI-së, të gjithë këta dëshmorë.
2-Të mbahet shënim që Ilir Meta të mbrojë Kushtetutën nga armiqtë e huaj, siç mbrojta unë Krujën nga hordhitë osmane.
Të mos lejojë SHBA dhe BE të fusin hundët në punët e Kushtetutës e drejtësisë.
3-Të martohet me një grua që ta ketë emrin e përafërt me Donikën.
Mendoj se shkon emri Monika. Pra të kenë vetëm një gërmë ndryshimin.
4-Ashtu si Donika ishte krahu im i djathtë dhe më zëvendësonte në shtëpi kur isha në mal, ai të ketë Monikën, të cilës mund t’i lërë partinë kur bën punë shteti.
5-Deri atëhere ka për t’u shpikur një sport që quhet futboll, ku njerëzit vrapojnë pas një topi.
Ky Ilir Meta duhet të bëhet tifoz me një ekip skocez, se ata janë gjaku jonë, janë arbëreshë të emigruar aty.
Mundësisht ekipi ta ketë emrin Sëlltik, që vjen nga fjala shqip sëkëlldi.
6-Sa herë të ndjehet i rrethuar dhe i rrezikuar, të bëjë si budalla derisa të gënjejë armikun, por të jetë vigjilent të mos e kuptojnë.
Kështu bëja unë kur dilja nga kalaja e Krujës, që të mos kuptonin turqit kush isha.
7-Kur të ngjitet në male, të marrë me vete një djalë nga Hasi.
Qim Peka quhet, që janë nga të parët e mi dhe një nga Bubqi i Krujës, ku unë kam pas fshehur mallin që u merrja turqve.
Kjo do t’i japë atij mundësi të ketë me kë të argëtohet.
8-Të angazhojë në parti Tit Vasilin, i cili do të jetë një nga pasardhësit e djalit tim që do emigrojë pas vdekjes sime, në Himarë dhe Vuno.
Ai do të lërë aty një fëmijë, pasardhës i të cilit pas 500 vjetësh do të jetë Tit Vasili.
Mësojeni të hajë fara dhe të rrijë në anë të rrugës si i vuajtur, që populli të ketë mëshirë për ju.
9-Kur të bëhet president, t’u japë shtetësinë pasardhësve të mi në Kosovë, pasi vëllai im që është varrosur në Manastirin e Deçanit, ma ka lënë amanet që nëse këtë territor e merr Serbia, pasardhësve të tij t’u japë Ilir Meta shtetësi të Shqipërisë, qoftë dhe me para.
10-E këshilloj të mos vdesë as si Avni Rustemi, as si Vojo Kushi, as si Mic Sokoli, se ata jane nxituar.
Të vdesë si unë në krevat, se është më mirë.”