Shqipëria dhe Greqia ranë dakort sot që zgjidhja e çështjes së kufijve detarë dhe përcaktimit të Shelfit Kontinental dhe Zonave Ekonomike Ekskluzive, t’i besohet Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë të Hagës.
Njoftimi u bë gjatë vizitës në Tiranë të ministrit të Jashtëm grek Nikos Dendias, në përfundim të takimit që ai pati me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm shqiptar Edi Rama.
“Me shumë kënaqësi mund të them që kemi rënë dakort që këtë çështje ta trajtojmë në instancat ndërkombëtare. Do i drejtohemi drejtësiëë ndërkombëtare për të vendosur pikat mbi “I”, në bazë të ekspertizës dhe të drejtës ndërkombëtare të detit”, bëri të ditur kryeministri Rama.
Për shefin e diplomacisë greke “zgjidhja do të jetë e dobishme për të dy vendet. Kam dëgjuar me interes të lartë dakortësinë e zotit Rama që zgjidhja do të ketë si bazë Konventën e OKB-së, të cilën të dy vendet e kanë nënshkruar, dhe jam shumë i lumtur që kemi rënë dakort që së bashku ta kalojmë këtë çështje në Gjykatën e Hagës”, deklaroi nga ana e tij ministri Dendias.
Ideja e një zgjidhjeje përmes një arbitri ndërkombëtar, u hodh publikisht nga kryeministri shqiptar gjatë një vizite në Athinë, në muajin shtator. Për shumë vite, çështja e kufijve detarë mes dy vendeve mbeti pa zgjidhje, që kur marrëveshja e arritur në vitin 2009 mes qeverive të atëhershme të të dy vendeve, u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese shqiptare, e cila e cilësoi atë në shkelje të kushtetutës dhe normave ndërkombëtare që rregullojnë çështjet e detit.
Vendimi nuk u gëlltit nga Athina e cila për një kohë të gjatë këmbënguli për t’ju rikthyer asaj marrëveshjeje. Por në vitin 2017 palët ranë dakort të rinisnin bisedimet, në kuadër të një pakete çështjesh që të dy vendet do të duhej të zgjidhnin mes tyre. Bisedimet u ndërprenë, me ndërrimin e qeverive, dhe ardhjen në pushtet të kryeministrit Kyriakos Mitsotakis.
Tani të dyja qeveritë kanë rishprehur angazhimin për zgjidhjen e të gjitha çështjeve të mbetura pezull. Edhe vendimi i sotëm, sipas ministrit grek “mbështetet në qëndrimin e të dyja vendeve për zgjidhjen e çdo divergjence që mund të kemi”.
“Kjo çështje do të jetë në diskrecionin e drejtësisë ndërkombëtare dhe do fokusohemi te bashëpunimi ekonomik, rajonal, te njerëzit dhe të bëjmë më të mirën për qytetarët”, u shpreh zoti Rama duke bërë të ditur se dhe për një tjetër temë të ndjeshme, atë të ligjit të luftës, që Greqia mban ende formalisht në fuqi, ndaj Shqipërisë “ka një diskutim shumë pozitiv dhe së shpejti kam shumë besim se do përfundojë në mënyrë pozitive, heqja e ligjit të luftës”. Nga ana e tij ministri grek e cilësoi ligjin e luftës “një anakronizëm dhe jam i sigurt që do ta zgjidhim së bashë dhe kam kënaqësinë ta them këtë nga Tirana”, theksoi zoti Dendias.
Vizita e tij u shoqërua me protesta të organizuara nga Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe shoqata Çamëria, ku nuk munguan dhe tensioned mes manifestuesve dhe policisë, para Ministrisë së Jashtme. “Kjo që po ndodh është një turp i vërtetë për Ramën. Ne donim të protestonim e t’i tregonim ministrit, atë që Rama s’ka këllqe ta tregojë, të heqë ligjin e luftës, se Shqipëria nuk ka 12 milje për t’i dhënë Greqisë dhe se ata nuk mund ta injorojnë gjenocidin e Çamërisë”.
Disa prej manifestuesve u shoqëruan në komisariate. Policia njoftoi më pas se 18 persona, mes tyre 3 organizatorët e protestës janë proceduar për veprat penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”. Ndërsa disa të tjerë kanë marë gjoba për mospërdorimin e maskave./VOA