Kryeministri Edi Rama e ka nisur fjalën e tij, në konferencën me ministrin e Jashtëm grek, Nikos Dendias, me një falënderim për vendin fqinj për ndihmën që ofruan më 26 nëntor të vitit të kaluar, kur vendi ynë u godit nga tërmet shkatërrimtar.
Në daljen në media të kryeministrit Rama, është vënë re kollarja e tij e cila kishte simbolet e flamurit shqiptar.
Teksa i shprehu mirënjohje ministrit, që sipas tij, ka qenë pranë shqiptarëve në ato momente dramatike, kreu i qeverisë shqiptare theksoi se trupat greke të kërkim-shpëtimit rrezikuan jetën për të shpëtuar njerëz poshtë rrënojave.
“I shpreh mirënjohje mikut të mirë të shqiptarëve, z.Dandias, për vizitën e tij sot.
Ministri ka qenë me në dhe pranë nesh edhe në një moment jashtëzakonisht dramatik, kur tërmeti i 26 nëntorit të shkuar goditi mijëra e mijëra familje dhe në pak sekonda na vuri përballë një situate tejet të vështirë.
Një situatë ku kontributi i drejtpërdrejtë jo vetëm me praninë simbolike të ministrit këtu, por edhe me praninë e trupave të kërkim-shpëtimit nga Greqia mes një rrjedhje të gjerë trupash të ardhura nga vendet mike, na mundësoi daljen nga ajo situatë, duke kursyer jo pak jetë njerëzish.
Asnjëherë nuk do ta harroj momentin e nxjerrjes nga rrënojat të një djali të ri nga trupat e ardhur nga Greqia, në kushte absolutisht të rrezikshme.
Ata djem me uniformën e një vendi fqinj, që vinin për herë të parë këtu, sakrifikuan jo pak dhe ishin gati të sakrifikonin dhe jetën e tyre për të shpëtuar jetë.
Me atë kujtim të fortë dhe të paharrueshëm sot e mirëpresim këtu mikun tonë për të folur për rrugën e përbashkët të të ardhmes. Duhet të bëjmë më të mirën, e mbi të gjitha në nivelin politik.
Ne kemi hapur një kapitull shumë pozitiv me qeverinë e Greqisë dhe unë dua që ta risjell këtu në vëmendje dhe faktin se përveç ministrit, që ka qenë këtu personalisht në atë moment të vështirë, kryeministri ka qenë ndër të parët që është interesuar pas tragjedisë dhe që ka qenë në vijimësi i dëshiruar për t’u informuar për ecurinë e gjërave dhe patjetër edhe i gatshëm në atë moment vështirësie që u krijua në kufi, si rezultat i masave të marra kundër Covidit.
Për ne Greqia qysh në krye të herës ka qenë një partner strategjik dhe mbetet i tillë.
Ne e konsiderojmë Greqinë një fqinj të çmuar dhe patjetër që partneriteti ynë me Greqinë është një partneritet për të ardhmen, duke mos harruar asnjëherë gjithçka që na lidh nga e shkuara e afërt dhe e largët”, tha Rama.