Juristi Romeo Kara ka deklaruar se ka ardhur koha që kjo kastë politikë e korruptuar të largohet dhe të përballet me drejtësinë. Përmes një materiali për gazetën SOT, i pyetur mbi pasuritë e pushtetarëve, ai shprehet se prej 30 vitesh kjo kastë politike vetëm i ka grabitur shqiptarët.
Sipas juristit, mjafton të shohësh pasuritë e Metës, Bashës apo Berishës dhe kupton nivelin e lartë të korrupsionit. Sipas tij, duhet një revolucion popullor për t’i larguar të gjithë, por jo si revolucionet e Metës.
Hetimi i politikës
Padyshim që duhet të ketë një hetim për personat që ju përmendni (Berisha, Basha, Meta) dhe jo vetëm për ta. Shqipëria është ligjërisht një republikë parlamentare, ku sigurisht njihet ligjërisht ndarja e pushteteve, por që në thelb vë Parlamentin në qendër të jetës politike në vend dhe deri diku përgjegjës për këtë situatë tragjike të cilën ne po përjetojmë sot.
Edhe pse sot krerët e partive kanë marrë pushtet të jashtëzakonshëm antikushtetues brenda partive të tyre dhe nëpërmjet tyre edhe mbi qeverisjen e vendit, ishte pikërisht Parlamenti ai, që pabesisht votoi që në vitin 2008 disa ligje ku ai i delegoi pushtetin e ligjshëm që i takonte popullit dhe anëtarësisë së partive, liderëve të partive të cilët më pas korruptuan çdo aspekt të jetës së vendit, duke e kthyer këtë vend në burim emigrantësh dhe trafiqesh.
Kjo është e vërteta dhe unë kam bindjen se jo vetëm këta emra që ju përmendni, por edhe një radhë e tërë ministrash e ish-ministrash, deputetësh dhe ish-deputetësh, drejtorësh dhe ish-drejtorësh do të duhet që t’i nënshtrohen verifikimit të pasurisë së tyre, familjes së tyre dhe tarafit të tyre.
Futja në politikë
Nuk është rastësi që asnjëri prej këtyre personave që ju përmendni, është nisur si të gjithë ne pa asnjë pasuri në rrugëtimin e tyre politik, ndërsa sot ata duken qartë që jetojnë përtej çdo imagjinate në lidhje me luksin. Praktikisht këta persona, plus edhe ish-kryeministri Nano, janë pikërisht ata drejtuesit, udhëheqësit, liderët apo udhërrëfyesit e vendit dhe të popullit dhe janë pikërisht ata të cilët meritojnë lavdërimin për çdo arritje si dhe mbajtjen e përgjegjësisë për çdo mëkat qeveritar.
Gjithmonë ping-pongu i politikes sonë është luajtur vetëm në një fushë, në atë të pazarit dhe dallavereve, duke e lënë të lejuar fushën e ligjshmërisë dhe ndershmërisë vetëm për demagogji dhe fushata elektorale. Praktikisht largimi nga parimet dhe ligjshmëria, ka bërë që politika të njehsohet me mëkatin, me fatkeqësinë tonë dhe biznesi me fitimprurës për klanet e përfshira në të. Si do të mundim ne që të dalim nga qerthulli dhe gracka ku e kanë vënë këtë popull këta persona që ju përmendni? Padyshim duke u përballur me ta, ligjërisht dhe moralisht.
Koha për revolucion
A do të ketë një revolucion që do ta bëjë të mundur verifikimin e politikanëve dhe ish-politikanëve tanë që praktikisht janë kthyer në pronarët de facto të Shqipërisë, apo ndonjë surprize nga jashtë, këtë nuk mund ta them pikërisht tani, por rruga më e mirë për ta pastruar politikën, për të parandaluar në të ardhmen përsëritjen e kësaj vjedhjeje 30-vjeçare, për ta vënë vendin në shinat e normalitetit dhe progresit, duhet që patjetër të bëhet verifikimi real dhe jo qesharak si ky i vetingut të drejtësisë i pasurisë të të gjithë politikanëve që kanë drejtuar vendin në këtë tranzicion pafund.
Sigurisht që verifikimi real i pasurisë së tyre, do të çojë në dënimin e tyre dhe konfiskimin e kësaj pasurie, kthimin e saj tek populli të cilit i përket dhe qetësimin e shpirtit të fatkeqëve viktima të kësaj diktature 30-vjeçare oligarkike, të këtyre persona që ju përmendni.
Politika jonë nuk mund të vazhdojë të rrëmojë akoma shtratin e ndyrë ku ajo është prej vitesh dhe të vijë me të njëjtën retorikë përballë nesh, duke pretenduar se ne jemi të lodhur dhe të detyruar nga dhuna e tyre që të pranojmë dhe gëlltisim çdo çorbë që ata gatuajnë dhe e servirin paturp sa herë që e lyp interesi i tyre.
Ajo që kërkohet sot mbi të gjitha është morali, një politikë me moral, një politikë parimore për njerëzit, për të ardhmen, të shanseve të barabarta, të unitetit të vendit dhe të rilindjes së shpresës se ne mund dhe duhet të bëhemi, duke iu shpallur luftë varfërisë dhe shkaqeve të saj, ku sigurisht kryesori është korrupsioni.
Kjo politikë patjetër që do të bazohet në përballje të fortë e të egër me korrupsionin e frymëzuar dhe realizuar nga këta persona që ju përmendni. Mark Antoni në një moment u shpreh “Cezari nuk u vra pse ishte vetë i korruptuar, por sepse frymëzoi korrupsionin tek të tjerët rreth tij”.
Askush prej këtyre personave që ju përmendni nuk është jashtë këtij mëkati cezarian, për të mos thënë që për to kemi fakte të përfshirjes direkte të tyre në afera korruptive. Gërdeci, rruga Durrës-Kukës-Morinë, privatizimi i CEZ-it, kontrata DIA-CEZ etj., qëndrojnë si realitet i pamohueshëm përballë demagogjisë së tyre elektorale.
Koha për llogari
Nëse do të kishim një Berishë, Metë apo Bashë të besueshëm, të sinqertë në dëshirën e tyre për të marrë flamurin e luftës kundër korrupsionit, atëherë Basha do të duhej t’i thotë gjykatës: unë heq dorë nga raporti im mjekësor dhe kërkoj të gjykohem për rrugën Durrës-Kukës-Morinë si dhe për akuzat lidhur me pastrimin e parave duke kundërshtuar pushimin e këtyre çështjeve me procedurë.
Po kështu duhet të veprojë edhe Berisha me një sërë aferash si ajo e CEZ-it, Albpetrolit, Gërdecit etj., duke u ndjekur nga Likja, të cilit i duken bëmat mbi malin e Tomorrit që nga avioni i linjës Tiranë-Athinë, por që ai mrekullisht i mbyll që në prokurori.
Rama gjithashtu duhet t’i hapi vetë rrugë hetimit të inceneratorëve dhe plehrave pas tyre. Dielli nuk mbulohet me shoshë, prandaj pasuritë e tyre mëkatare duhet t’i nënshtrohen një hetimi sipas ligjit, një hetimi i cili nuk do të jetë i ngushtuar profesionalisht, por zgjerues dhe gjithëpërfshirës. Ligji ka parashikime të shumta ligjore në këtë rast, si p.sh vjedhjen nëpërmjet korrupsionit, mashtrimit, shpërdorimit të detyrës etj., gjë që nuk u lë shumë mundësi atyre që ta kalojnë aspak lumin e drejtësisë nëse përballja e tyre do të ishte e ndershme me të.
Ajo që vihet re qartë është se, politika e korruptuar gjithmonë ka pasur si mburojë policinë, prokurorinë dhe gjykatat, duke zotëruar kështu edhe gurin edhe arrën. Jo më kot politika u detyrua që vetingun ta startojë tek drejtësia dhe policia, pasi një veting i tillë edhe siç u pa ishte thjesht për të devijuar goditjen ndaj saj si dhe për të rrënuar këtë proces të stërzgjatur verifikimi. Këtu peshku është qelbur nga koka, prandaj verifikimi i pasurive dhe konfiskimi i tyre shoqëruar edhe me burgosjen e personave përgjegjës duhet të fillojë pikërisht nga këta persona.
Ata janë koka, ata janë përgjegjësit për këtë situatë në të cilën jemi, ku ata pretendojnë sërish që të jenë shpëtimtarët tanë. Koha e pallavrave të “Konfiskimeve” donkishoteske të Lulit, të “referendumit popullor” të Likes, te ”Ne nuk jemi më të mirët, por më të mirë se ne nuk ka” të Edit, duhet të marrë fund dhe ne t’i drejtohemi seriozisht parimit, ligjit dhe zbatimit të tyre. Shqipëria ka jetuar edhe pa ne edhe pa ta edhe pa hajdutërinë e tyre dhe nuk bëhet qameti se ata do të dalin nga politika, me apo pa pranga, pa pasurinë e tyre dhe pa të drejtën për t’u marrë përjetësisht me politikë.
Koha e largimit
Nëse grekëve iu mërzit Solomoni i madh, nëse francezët u lodhen me atë që ringriti Francën, De Golin, çfarë duhet të themi ne, që nuk jemi lodhur me këta që po na vjedhin prej 30-vitesh? Përsa kohë që ata qëndrojnë mbi kalin e pushtetit, për aq kohë sa ligji nuk do të gjejë zbatim, pasuritë e vjedhura prej tyre nuk do të konfiskohen dhe shembulli i tyre do të frymëzojë me dhjetëra ndjekës të uritur të gatshëm për t’i futur thonjtë e tyre në atë çfarë ka ngelur nga pasuria publike. Në thelb, kjo është vetë zgjidhja e të gjitha problemeve tona.
Në preambulën e Bankës Botërore thuhet se: ”Lufta për progresin e shumë vendeve, varet tërësisht nga suksesi i luftës kundër korrupsionit”. Në Shqipëri, përgjatë 30 viteve populli është varfëruar deri në skaj, ndërkohë që pushtetarët janë pasuruar.
Kjo dukuri është evidente, e pamohueshme dhe hedh poshtë çdo demagogji të mëtejshme. Ata që duan të lozin më tej me kartën e luftës kundër korrupsionit, si p.sh Basha apo Meta, duke qenë vetë deri në qelizë të korruptuar, e kanë shumë të vështirë t’i shpëtojnë përballjes me të kaluarën e tyre pengmarrëse.
Fatkeqësisht, për çdo alternativë që del si zgjidhje nga opozita sot, del përballë kundër një fakt historik, i cili e bën të pabesueshëm personin që e thotë dhe vetë alternativën gjithashtu. Ky është momenti që politika duhet ta pranojë krizën morale të saj, krizë nga ku ne detyrohemi të zgjedhim jo midis të mirës dhe mes të mirës, jo midis të mirës dhe së keqes, por midis së keqes më të vogël dhe të keqes më të madhe. Këtë nënkupton edhe Rama kur thotë: Më të mirë se ne nuk ka, d.m.th unë jam e keqja më e vogël.
Rotacioni midis së keqes së sotme me atë të djeshme duhet patjetër të marrë fund dhe kjo vjen vetëm nga jashtë këtij sistemi politik. Ky sistem politik nuk funksionon prej kohësh, prandaj në skenë duhet të dalin politikanët e së ardhmes, politikanët mbartës të moralit që mungon.