Në një dalje publike për mediat Presidenti i vendit, Ilir Meta sfidoi socialistët duke iu përgjigjur deklaratës që bëri disa ditë më parë nga Kuvendi i Shqipërisë deputeti socilist, Bujar Çela, se kreu i shtetit duhet të izolohej nga prokuroria e Përgjithshme.
Meta del në konferencë dhe shpërthen me tone të forta ndaj qeverisë, godet rëndë edhe OSHEE: Kjo është maskaradë arbitrare
Meta tha se presidenti do të jetë në Presidencë, ndërsa iu sugjeroi që deputetët mund t’i bëjnë thirrje të gjithë prokurorëve në botë dhe policisë po ashtu.
“T’u bëjnë thirrje të gjithë prokurorëve në botë e gjithë policisë në botë, se presidenti këtu është gjithmonë. Dhe të shohim se kush do të izolojë presidentin. Zero shans. Izolimi i Shqipërisë nga Europa është qëllimi. Presidentin këtu e kanë. Le të vijnë që të zënë këtë institucion. Unë i kam thënë të gjithë Shqipërisë dhe Botës se qëllimi është zhytja e Shqipërisë, izolimi.”, tha Meta.
DEKLARATA E DEPUTETIT CELA
Deputeti Çela i bëri thirrje kryeprokurorit Olsian Çela, të cilin tha se e ka dhe kushëri, që të izolojë Presidentin Ilir Meta. Sipas deputetit, Kreu i Shtetit e ka mbushur kupën me ato që ka bërë.
“Ne kemi plot probleme, por ky grip, që unë do e quaja, një zjarr në mbarë globin, i cili na bën që të kemi edhe frikë dhe na ndërgjegjëson më shumë për t’u mbrojtur më shumë. Në rast se nuk mbrojmë veten, duhet të mbrojmë të tjerët. Është detyra jonë të dëgjojmë çdo organ këshillimor, të cilët ju qytetarë të dashur duhet t’i mirëkuptoni dhe jo t’i quajmë si teka, në mënyrën që i trajton opozita apo ‘pseudo presidenti’ jonë.
Unë nga kjo foltore inkurajoj kushëririn tim, kryeprokurorin, Olsian Çela, se ne Çelajt, si fis i madh që jemi, na bien detyra shumë të rëndësishme, që mos të merret me hetim, por të bëjë izolimin e këtij njeriu, i cili ka mbushur kupën me të gjitha gjërat.
Këtë gjë nuk e duan vetëm Çelajt, e duan edhe Metët, e duan edhe ata nga Skrapari, Tepelena, Tirana, Durrësi, se kudo, si fis i madh që jemi kemi lloj-lloj brenda nesh. Nuk ka nevojë ta hetojë BKH-ja, por duhet ta izolojë. Ju faleminderit shumë dhe ju ftoj që t’i votojmë të gjitha ligjet që janë sot në rendin e ditës”, tha deputeti socialist i Lushnjes, Bujar Çela.