Analisti Frrok Çupi ka bërë një analizë të thelluar duke marrë në shqyrtim gjendjen në të cilën ndodhet Partia Demokratike sot dhe deklaratat e tensionuara të Presidentit Ilir Meta. Çupi shprehet se Meta nuk ka frikë nga kryeministri Rama , por ka frikë nga vetja dhe Amerika.
“Presidenti i Republikës, që ka dalë nga parlamenti, ka lënë postin dhe ka dalë në opozitë, një opozitë molotovësh. Ai kërcënon për ‘beteja’ dhe aksione si Vasil Laci e Avni Rustemi, me idenë se do të vrasë Edi Ramën dhe ambasadoren e Shteteve të Bashkuara. Qeveria mori një iniciativë për shkarkimin e presidentit, por nuk e çoi deri në fund. Pse ndodhi? Vallë kemi të bëjmë me dy mjete lufte që kanë ngecur në rërë, apo ka ndonjë gjë përtej kësaj?
Besoj se është përtej anijes dhe tankut në rërë. Ilir Meta, president, nuk e ka frikë qeverinë, ka frikë vetëm veten dhe Amerikën”.
Tregim mbi anijen në rërë
Nga Frrok Çupi
Ka qenë shkurt, ndoshta në gjysmën e muajit. Vjen lajmi se në Durrës po bëhej nami, familjet e oficerëve kishin kapur anijet ushtarake dhe po ngarkoheshin, fillimisht fëmijët dhe gratë e ushtarakëve, e pastaj qytetarë të tjerë që kërkonin shpëtim jashtë Shqipërisë. Viti 1991. Si kryeredaktor i RD mu desh të nisesha vetë që në ora 5 të mëngjesit, aty mbërrita rreth shtatës. Zbarkimi dhe imbarkimi i njerëzve të anijes do të bëhej në zonën rreth Hotel Adriatik.
Mëngjes aq i ftohtë dhe i lagësht sa të hynte në palcë. Në rërën në anë të Hotelit kishin mbetur vetëm pak njerëz, edhe kapiteni i anijes edhe tankisti, ishin arratisur.
Frika se do të burgoseshin, të dy përballë njëri tjetrit, por secili me motiv të kundërt nga njëri tjetri: Tankisti do të qëllonte anijen e ushtarakëve që po arratisej, ndërsa kapiteni duhej ta sillte anijen sa më afër bregut që të hipnin gratë e fëmijët. Por asnjëri nuk kishin mbetur aty. Tanku kishte ngecur në rërë, por edhe anija kishte ngecur në rërë.
Shteti kishte marrë fund.
Edhe një herë tjetër shteti mori fund në vitin 1997, por tashmë nën udhëheqjen e ‘Demokracisë’.
Hija e një fundi tjetër politik po më vërtitet ndër sy sa herë më vjen pamja e trishtë e mes- marsit 1991, kur tanku dhe anija e shtetit kishin ngecur në rërë, ballë përballë.
Përballja e parë:
Partia ‘antikomuniste’ e vitit1991 që mori përsipër të rregullonte ‘kazma e lopata dhe tanke e aeroplanë’ ka ngecur në rërën e ngjarjeve tragjike dhe komike. Më në fund ra në mars 2019, kur doli nga ‘anija e demokracisë’ dhe u ngjit maleve e sokakëve. Që atëherë PD iu tha pasagjerëve të vet se ‘ deri këtu’ kam fuqi motorike shtetformuese, pas kësaj dorëzim. Më duket fiks sikur po shikoj anijen e vjetër dhe tankun e ngecur në rërë, se si u i vinin rrotull nja katër a pesë kuriozë.
Deputetët e PD i vërtiten tani rreth godinës së Parlamentit, me shpresë se dikush do t’ i pikasë. Por është e pamundur. Këta e kanë thyer në mes demokracinë dhe ‘perëndinë’ e përfaqësimit të popullit dhe prapë kërkojnë të ‘ përballen’ me ata që nuk u thyen prej tyre. Nëse guxojnë të kërkojnë përsëri votë nga populli, bëjnë aktin më të shëmtuar në botë. As në periudhën e vjetër të demokracisë parapolitike nuk ka ndodhur kështu, që kaçakët e maleve të përballen me Parlamentin e ligjeve.
Përballja e dytë:
Tani, në fakt, kanë mbetur në sere të dy palët, si maxhoranca edhe presidenti. Presidenti i Republikës, që ka dalë nga parlamenti, ka lënë postin dhe ka dalë në opozitë, një opozitë molotovësh. Ai kërcënon për ‘beteja’ dhe aksione si Vasil Laci e Avni Rustemi, me idenë se do të vrasë Edi Ramën dhe ambasadoren e Shteteve të Bashkuara. Qeveria mori një iniciativë për shkarkimin e presidentit, por nuk e çoi deri në fund. Pse ndodhi? Vallë kemi të bëjmë me dy mjete lufte që kanë ngecur në rërë, apo ka ndonjë gjë përtej kësaj?
Besoj se është përtej anijes dhe tankut në rërë. Ilir Meta, president, nuk e ka frikë qeverinë, ka frikë vetëm veten dhe Amerikën. Amerika, me sa duket, ka rënë në ujdi që ta lërë aty në zyrën e ambasadës Ruse, ta urdhërojë të firmosë çfarëdo që duhet, Iliri të bërtasë gjithë ditën dhe në mbrëmje të futet në stel. Nesër prapë i njëjti muhabet. Presidenti nuk prish më asnjë punë, atëherë pse u dashka larguar nga zyra?. Megjithatë maxhoranca po dëshmon dobësi…
Gabimi i Shtabit të Ushtrisë komuniste me anijen dhe tankun në vitin 1991 ishte se ata e morën seriozisht, disa vranë veten, disa dhanë dorëheqjen dhe disa nisën të shkruajnë kujtime… Për çfarë?
E treta: Holokausti nuk ka ndodhur.
Janë kryer mijëra gjyqe dh janë krijuar qindra filma me përballjen se ‘ka ekzistuar apo nuk ka ekzistuar Holokausti?’. Perversët më të mëdhenj kanë thënë se Holokausti nuk ka ndodhur. Apologjetët më të frikshëm kanë thënë se ‘dhomat e gazit’ nuk ishin për të vrarë njerëz, por ishin për të vrarë morrat që të dënuarit të pastroheshin.
Edhe mua më ka thënë një mbrëmje një analist militant se ‘Vlorën e dogji Frrok Çupi, jo qeveria dhe presidenti i PD’. Është e njëjta gjë si me Holokaustin. Këta duan ta fshijnë nga kujtesa veprën kriminale që ka ndodhur, dhe të turpërojnë kombin sikur t’ i votoj përsëri. Kanë harruar edhe si ishte mbushur vendi me pisllëk dhe me shëmtim. Harrojnë të shikojnë rrotull ‘tankut’ të ngecur në rënë se si është modernizuar vendi.
Ka arsye: Ose nuk i dallojnë dot ngjyrat, ose me bardhë e zi iu shijon jeta. Me këta nuk ka përballje