Nga Ilir Yzeiri
Dje gazetari Karlo Bolino botoi një histori vetjake që kishte lidhje me një padi gjyqësore që ai ka ngritur ndaj Çlirim Gjatës, sekretar për çështjet juridike në PD, për shpifje dhe fyerje. (Shih «Shpifi dhe fshihet, kush e njofton Çlirim Gjatën që gjykata po e kërkon prej 15 muajsh?!» -Shqiptarja.com, TemA).
Të kuptohemi drejt, sistemi ynë i drejtësisë është në kolaps edhe për shkak të reformës në drejtësi e cila ka nisur prej disa vjetësh dhe ende nuk po arrin në fund. Nuk kam ndërmend të përmend as shkaqet as të merrem me faktorët që po e ngadalësojnë, në mos po e sabotojnë, implementimin e kësaj reformeje madhore. E kam fjalën diku tjetër.
Ajo që tregon Karlo Bolino në shkrimin e tij është shumë domethënëse për një arsye tjetër.
Po çfarë ka ndodhur konkretisht ?
Gjyqtarja Manjola Xhaxho prej 15 muajsh nuk e gjen dot se ku jeton dhe ku ndodhet i padituri prej Bolinos. Në të gjitha adresat që i jep pala e interesuar për zhvillimin e këtij gjyqi, gjykata dhe përkatësisht gjyqtarja Manjola Xhaxho, nuk arrin ta gjejë zotin Çlirim Gjata dhe gjyqi nuk zhvillohet. Ajo nuk pranon të presë as avokatin e palës paditëse dhe prej 15 muajsh nuk zhvillon asnjë seancë sepse zoti Çlirim Gjata sipas gjyqtares Manjola Xhaxho nuk ekziston, është një emër fantazmë, gjithnjë sipas saj.
Zonja Xhaxho paska kaluar edhe procesin e vetingut dhe sikundër thotë në shkrimin e tij zoti Bolino ajo është përfaqësuesja e drejtësisë së re. Pra, një gjyqtare që me arrogancën e pastërtisë së figurës dhe rivlerësimit të saj, nis dhe ndërton një profil tjetër.
Këtej e tutje, sipas kësaj gjyqtareje, që qenka vlerësuar si e pastër nga procesi i vetingut, ne, qytetarët e thjeshtë, duhet të trembemi dhe të dorëzohemi sepse te kjo kategori gjyqtarësh nuk është shuar ndjenja e arrogancës alla shqiptare. Unë nuk e njoh dhe nuk dua ta njoh këtë gjyqtare. Nuk i di arsyet se përse ajo e ka fshirë nga lista e personave që jetojnë në një lagje apo në një vend në Tiranë z. Gjata. Ajo që më frikëson në këtë histori është trimëria e kësaj gjyqtareje që tani i jep të drejtë vetes edhe të fshijë njerëz nga defteri i gjendjes civile, bash atëhere kur ata janë edhe kandidatë për deputetë apo edhe kur ata shfaqen përditë në ekranet e tv-ve.
Po sot, një gjyqtyre tjetër me mbiemrin Vlora, raportohej se kishte pasuri marramendëse sipas deklarimit të pasurisë në ILKPD. Ajo mesa duket nuk do t’i shpëtojë dot vetingut.
Mirëpo, vetingut i ka shpëtuar Manjola Xhaxho e përsëri shqiptarët nuk gjejnë dot drejtësi. Pra, të mendosh që botuesi i njohur, gazetar i nderuar, me mundësi që ta bëjë publik rastin e tij dhe përsëri nëpërkëmbet dhe me arrogancën e asaj që ka fituar vetingun, nuk pyet më për ligjin, sepse sipas mendësisë shqiptare tani ligji është Manjola.
Ky rasti i Manjola Xhaxhos është parathënia e trishtë se drejtësia shqiptare nuk mund të shëndoshet nga asnjë reformë. Më së pari drejtësia është çështje kulture e një populli, është traditë dhe histori. Cilin model ka ndjekur Manjola që të bëhet një gjyqtare e denjë për të dhënë drejtësi ? Modelet që i ka ofruar deri tani shoqëria shqiptare dhe kultura jonë janë modelet e gjyqtarit apo punonjësit të drejtësisë që pasi ulet në karrigen e tij mendon si të bëjë lekë, si të shesë drejtësi dhe tw jetw në garë me kolegët jo për të shtuar famën si hero i drjetësisë, por si hero i përfitimit. Manjola Xhaxho nuk ka faj. Ajo po na tregon se reformimi i drejtësisë shqiptare nuk është thjesht çështje vetingu. Ky shembull periferik, pra për një problem në dukje jo të thellë, thjesht padi për një shpifje e fyerje dhe një gjyqtare e zhduk të paditurin.
Mendoni se çfarë është bërë në këtë vend me çështje të nxehta si vrasje, drogë, korrupsion, prona. Gjyqtarja Manjola Xhaxho me këtë rast na bëri esëll. Ajo na tregoi se edhe drejtësia e re do të jetë një drejtësi shqiptare, pa traditë, pa modele që të lartësojnë ëngjëjt tanë mbrojtës, do të jetë një drejtësi që do të shtillet me arrogancën e atyre që kanë dalë ta pastër nga vetingu dhe këtë pastërti do të përdorin nesër si dëshmi për të legjitimuar arrogancën e tyre që mbështetet në dhënien e drjtësisë jo sipas ligjit, por sipas klisheve dhe stereotipive të kodit shqiptar të lidhjes me fisin, partinë, tarafin dhe gjithçka që përbën kontekstin e kalbur të shoqërisë shqiptare.