Të hënën në mëngjes KPK shpalli vendimin për gjyqtaren e Apelit Korçë, Etleva Temo. Subjekti i rivlerësimit u shkarkuan nga detyra.
Procesi i vetingut për gjyqtaren Temo u krye nga trupi gjykues i përbërë nga Firdes Shuli kryesuese, Olsi Komici relator dhe Pamela Qirko anëtare. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Branko Hrvatin.
Gjatë seancës dëgjimore të mbajtur të premten ndaj subjektit u identifikuan probleme për pasurinë; etikën dhe u ngritën dyshime për konflikt interesi në gjykimin e disa çështjeve gjyqësore, gjetje që u kundërshtuan prej subjektit të rivlerësimit.
Në seancë u ngritën dyshime edhe për veprime fiktive në këmbimin e një autoveture të prodhimit të vitit 1986 me një mjet të vitit 99-ës, që bashkëshorti e ka shitur disa herë më shtrenjtë. Gjithashtu u identifikua pamundësi financiare për krijimin e pasurive dhe kryerjen e shpenzimeve.
Etleva Temo e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 2003 si gjyqtare në Gjykatën e Pogradecit. Në vitin 2014, Temo është promovuar si gjyqtare në Gjykatën e Apelit të Korçës.