Është mbyllur faza e parë e verifikimeve për kandidatët për hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit. Sot kryetarja e BKH do të publikojë listën e plotë të emrave që kanë kaluar me sukses fazën e parë.
Kjo fazë për 650 kandidatët e FBI shqiptare ka qenë për kriteret bazë, ku përfshihet edhe arsimimi. Rregullat për kushtet dhe kriteret që duhet të plotësojë kandidati janë përcaktuar qartë në ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”.
Bazuar në këtë ligj, kandidatët që nuk e kanë kaluar fazën e parë të testimi janë ata që kanë mungesë dokumentacioni, si dhe personat që nuk kanë arsim të lartë policor, në drejtësi apo kontabilitet, ose arsim të lartë në degë të tjera që kanë lidhje me misionin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, nga një universitet vendas apo i huaj.
Po ashtu edhe ata që nuk kanë mbi 1 vit përvojë në fushën e policisë apo të drejtësisë penale. Por të dhënat bazë nuk është faza e parë të cilën duhet të kalojnë kandidatët. Ligji e ka përcaktuar që FBI shqiptare duhet të ketë në përbërjen e saj 60 agjentë, ku do të zgjidhen më të mirët për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivele të larta.
Por BKH duket se nuk do të humbasë më shumë kohë dhe pak ditë më parë përmes një njoftimi e bëri të ditur që emrat e kualifikuar që do të publikohen sot, në datën 14 do t’i nënshtrohen fazës së dytë, që ka të bëjë me testimin e arsyetimit logjik me shkrim, pra shkrimit të eseve për të vlerësuar se sa të aftë do të jenë në shkrimin e raporteve.
Do ketë një provim të zgjeruar me shkrim që mat aftësitë e shkrimit të raporteve, si dhe nivelin e shkrimit e leximit. Më pas do ketë një intervistë nga një komision që mat aftësitë e komunikimit verbal, si dhe aftësinë për t’i komunikuar idetë me eficencë. Faza e fundit është poligrafi apo makina e së vërtetës.
Ja kur përfundon përzgjedhja e kandidatëve
Por përzgjedhja për 60 emrat që do të jenë pjesë e BKH po ecën me ritme të shpejta. Sipas informacioneve të gazetës pritet që Komisioni i Posaçëm i Rishikimit të mbyllë brenda këtij muaji procesin e përzgjedhjes së hetuesve dhe në muajin nëntor të nisen për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të trajnohen për 1 muaj.
Më pas FBI dhe Departamenti i Drejtësisë do të sjellin ekspertë në Tiranë që do të zhvillojnë trajnime dhe do të instalojnë pajisje speciale që do të dhurohen nga SHBA. Fakti që çdo kandidat do të kalojë në filtrin e amerikanëve tregon qartë se ky organ do të jetë imun ndaj ndikimit politik dhe kur BKH të jetë gati, politika duhet të trembet. Muaji dhjetor do të jetë vendimtar për kupolën e drejtësisë. Në këtë muaj, BKH pritet të jetë funksionale dhe gjëja e parë që ata do të bëjnë është monitorimi i njerëzve të drejtësisë.
Përgjimi i telefonatave, email dhe kontrolli i llogarive bankare të anëtarëve të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion pritet që të jenë fokusi i parë i punës së Byrosë së Hetimit. Deri më tani, monitorimi i anëtarëve të SPAK nuk ka ndodhur për shkak të mungesës së BKH, por me ngritjen e saj në dhjetor çdo gjë do marrë tjetër rrjedhë. Hetuesit specialë të FBI shqiptare do të kryejnë përgjimet, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Pastrimit të Parave do të merret me kontrollin e llogarive bankare.