Skandali ligjor i shkaktuar nga presidenti Ilir Meta lidhur me firmosjen e nënshtetësive shqiptare, inicioi gjithashtu edhe një debat publik lidhur me procedurat e përftimit të pasaportës shqiptare ndër vite ku dikur duheshin mbi tre vite, ndërsa sot duhen vetëm 3 orë.
Por teksa flitet për abuzimet e kreut të shtetit në këtë drejtim, gazeta “TemA”, sjell ekskluzivisht një cikël të gjatë dokumentesh, nga të gjitha procedurat që ndoqi aktori i madh shqiptar Aleksandër Moisiu për të përfituar nënshtetësinë shqiptare.
Edhe pse kaloi thuajse gjithë rininë e tij mes qytetit të Durrësit dhe Tiranës para se të zhvendosej drejt Vjenës së Austrisë, artisti i shquar ju nënshtrua të gjitha procedurave ligjore për të përfituar pasaportën e vendit të tij.
Mes shumë materialesh arkivore që mund të gjenden për të në Arkivin Qendror të Shtetit (AQSh), ato që bien më shumë në sy janë letërkëmbimet zyrtare për Aleksandër Moisiun, i cili kërkon nënshtetësinë shqiptare.
Gazeta “TemA” sjell për herë të parë këto dokumente të cilat përmbajnë vlera të rralla si dëshmi e qartë dhe e padiskutueshme që dramaturgu i madh i skenave botërore, pavarësisht suksesi të madh që korri kudo, nuk e harroi kurrë vendlindjen duke kërkuar së bashku me familjen atë që i takonte: Identitetin e tij shqiptar.
Pavarësisht se mjaft emra të ndritur të kulturës botërore u magjepsën përpara artit të Moisiut, ajo që vihet re në këtë koorespodencë të ftohtë dhe teknike mes institucioneve, ësht se ai ju nënështrua procedurave ligjore të kohës si për çdo shtetas tjetër.
Duket se fakti ai nuk e fshehu aspak të qenurit shqiptar dhe nderit që i bënte imazhit të shqipërisë ky vigan i përmasave botërore, ishin elemente që për shtetin e kohës nuk përbënin asnjë lehtësi ligjore.
“TemA” po risjell një pjesë nga letërkëmbimet zyrtare të kohës ku konsullata shqiptare në Vjenë i drejtohej ministrit të Punësve të Jashtme Xhafer Vila, ku i sqaron të gjithë dosjen e Moisiut lidhur me kërkesën që parashtron ndaj shtetit shqiptar:
“Kam nderin të njoftoj se dramaturgu i njoftun, prej gjaku dhe fisi shqiptar, z. Alexandër
Moissi, i lindur në Trieste, më 2. IV.1880, që ndodhej për një muej në një turne theatrore në Vjenë, iu drejtua sot kësaj Konsullate Mbretnore me lutjen që të ja parashtroj Shkëlqesis Suej dëshirën e tij që t’i akordohet sa ma parë shtetësia shqiptare bashkë me zonjën e tij Giovanna Moissi-Terëin, artiste, e lindur në München më 18.III.1884.
Ky artist i përmëndun, që nuk e ka mohue kurr kombësinë shqiptare dëshiron që të njifet tutje dhe përjashta si shtetas shqiptar.
Z.Alexander Moissi e mori në kohë të luftës së madhe proforma shtetësinë gjermane, dmth mbas një intervecioni personal të Princit Otto Bismark dhe prej vitit 1932 rron në vilën e tij në Lugano (Svicër).
Ky i refuzoi gjithë shtetësitë e tjera dhe dëshiron vetëm të pranohet si shtetas shqiptar, siç ka qenë familja e tij e dalun me kohë prej Kavaje dhe n.q.s pranohet lutja e tij do të jetë kurdoherë mirënjohës kundrejt shtetit tonë për këtë gjest bujar.
Emri i këtij dramaturgu do të jetë me të vërtetë një reklamë e gjallë dhe propagandë e vlefshme për Shqipërinë, e cila do t’ishte krenare me e quejtur si të tijnë këtë artist të përmëndun në të gjithë botën.
Tue i marrë parasysh arësyet e naltshënueme i lutem Shkëlqesis S’uej që t’i akordohet në një mënyrë të jashtëzakonshme shtetësia shqiptare Z. Alexander Moissi dhe zonjës së tij”, shkruhej ndër të tjera në letrën zyrtare të përcjellë e cila mban datën 7 nëntor 1933.
Letërkëmbimi i sjellë nga historiani Xhezo Canaj, vazhdon me letrën me të cilën ministri i Punëve të Brendshme i drejtohet Kryeministrisë. Pasi citon kërkesën që Aleksandër Moisiu ka bërë në Vjenë, ai thekson:
“Tue marrë parasysh racën e tij shqiptare, kohë shpërnguljen e familjes prej Kavajës në vise të huaja dhe marrjen e shtetësisë gjermane në një kohë të mbas sundimit ottoman në periudhën e okupacioneve të huaja në Shqipni e si dhe profesionit dramaturg që t’i vyejë historisë së kombit tonë, propozojmë pranë P.T.
Këshillit Ministror të kombit tonë, regjistrimin e tij bashkë me gruan në shtetësinë e racës së vet, me banim definitiv në Kavajë me lutje që pasi të merret në studim nqs e mundur të parashtrohet për dekret Mbretnuer në bazë të
Art. 9 të Kodit Civil tue ju akordue shtetësia shqiptare dy artistave të përmëndun me rëndësi, njani prej të cilëve i racës sonë shqiptare. Kryesia e Këshillit të Ministrave, data 17.III.1934
Për dije e veprim, këtu ngjit ju dërgohet Kopje e dekretit Mbretnuer mbi akordimin e shtetësis shqiptare Z. A. Moissi, tash shtetas gjerman me banim në Svicër bashkë me zonjën e tij, Giovanna Moissi-Terëin”, thuhej ndër të tjera në letrën e adresuar, faksimilen e të cilës historiani Xhezo Canaj e servir për herë të parë për publikun shqiptar përmes gazetës “TemA”.
Edhe pse artist i këtyre niveleve të larta, Moisu respektoi të gjitha parashikimet ligjore pavarësisht se u nda nga jeta duke mos e gëzuar pasaportën shqiptare. Por nëse atëherë do të duhej që të prisje deri në 3 vjet për të marrë nënshtetësinë shqiptare, sot nëse njeh presidentin e republikës Ilir Meta ose njerëzit pranë tij, kjo procedurë mund të përfundojë për 3 orë.
Më poshtë, në galerinë virtuale të gazetës “TemA” mund të lexoni letërkëmbimet e plota të përcjella mes institucioneve mbi shqyrtimin dhe përpilimin e dokumentacioneve për t’i dhënë nënshtetësinë shqiptare gjeniut të artit Aleksandër Moisiu. (TemA)