Arben Frashëri, ish-drejtor i Shërbimit të Cështjeve të Brendshme dhe Ankesave në qytetin e Fierit është emri më i lakuar i 24 orëve të fundit në rrjetet sociale. Oficeri me një eksperiencë të gjatë në Policinë e Shtetit, u shkarkua të premten pa bujë nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, organ që kalon në filtër zyrtarët e SHCBA.
Komisioni nuk u bind nga argumentimi i Arben Frashërit, për mosjustifikimin e një pasurie prej 20 milionë lekë të vjetra, me të cilën ka blerë një shtëpi 1+1 në Tiranë, e tipit apartament. Saktësisht, Frashëri nuk ka mundur të vërtetojë të ardhurat si emigrant në Greqi, ku ka punuar, bashkë me gruan, për një periudhë 3-vjeçare para vitit 1997 dhe kjo për Komisionin ka qenë një arsye e mjaftueshme për ta shkarkuar.
Pas shkarkimit të tij, gazetarët kryesorë të asaj që njihet si “kronika e zezë”, kanë reaguar ashpër.
Më poshtë po sjellim disa nga reagimet e tyre.
Reagimi i gazetarit Ferdinand Dervishi:
“Mediat po shpërndajnë një lajm sipas të cilit Arben Frashëri, një personazh i njohur sidomos për gazetarët, është viktima e radhës e vetingut në radhët e policisë. Ai nuk ka justifikuar 20 milionë lekë të vjetër të blerjes së një shtëpie 1+1, që ka në Tiranë, si të vetmen pasuri të tij (27 milion të vjetër me gjithë rraqet).
Saktësisht Arbeni nuk ka mundur të vërtetojë të ardhurat si emigrant në Greqi, ku ka punuar, bashkë me gruan, për një periudhë 3-vjeçare para vitit 1997. Në këtë moment pyetja ulëritëse që më godet në kokë është: More, po këta njerëz që kanë punuar gjithë jetën për shtetin a duhet të kenë një shtëpi, apo duhet të jetojnë me qira?
Ndërsa ai që më shokon krejtësisht është fakti se në gjithë ata që vazhdojnë të japin kontributet e tyre në Policinë shqiptare, unë nuk njoh një të dytë si Arben Frashëri. Ai ka merita si askush tjetër në vendosjen e rendit në Berat gjatë pjesës së dytë të vitit 1997 dhe më tej, si pjesë e Krimeve të Rënda, është mbase polici që ka hetuar e rrasur në burg më shumë se kushdo tjetër banda e elementë kriminalë, qofshin të fortë sa grupi i Alferd Shkurtit në Lushnjë, apo ai i Lulzim Berishës në Durrës e kështu pa fund.
Me pak fjalë Arbeni është nga të rrallët shqiptarë që gjithë jetën ka punuan për shtetin dhe jo per xhepat. Për mua, nëse ka një polic hero në Shqipëri, është vetëm Arben Frashëri. Këtë e kam pohuar dhe do vazhdoj. Po tani? A kam të drejtë të mendoj se vetingu në polici po ndërmerret nga injorantët, apo më keq akoma, po influencohet nga bandat???? Në fakt shembullin e një tjetër vetingu të dështuar e kemi.”
Reagimi i gazetarit Artan Hoxha:
“Më 8 gusht 2003, ndërsa breshëritë e kallashnikovëve të skuadrës ceremoniale të Policisë së Shtetit, po i jepnin lamtumirën e fundit “Dëshmorit të Atdheut”, Kolonel Gani Malushi, me sytë e mbushur me lotë, i drejtohem kolegut të tij, Arben Frashëri. “Beni, bëj kujdes! Nuk do mund ta përballoja dhe varrimin tënd në këtë mënyrë”.
Ndërsa i hidhja doren në sup Benit, bashkëluftëtarit dhe mikut të Gani Malushit, në memorje më kaluan kujtimet në vitet e mbrapshta 1997-1998 në Beratin e zhuritur nga betejat e bandave. Kur Ganiu dhe Beni, në drejtimin e komisariatit të Beratit, kryen me dhjetëra aksione kundër disa nga bandave dhe kriminelëve me gjakatarë të 1997-ës.
Në gushtin e nxehtë të 1999-ës, serish të dy zbarkuan në Tropojën e përzhitur nga atentatet me mina të telekomanduara dhe serialin e vrasjeve që nuk ndalonte prej vitesh. Në Bajram Curri, Benin e kishin dërguar si një nga specialistët më të mirë, për të hetuar dhe rihapur dosjet e serialit gjakatar të vrasjeve në Tropojë. Arben Frashërin, sa herë shkoja ne Tropojë, e gjeja të veshur me uniformë ushtarake kamoflazhi dhe me jelek antiplumb.
Me këtë veshje, Beni më tepër se ustai që qepte hetimet dhe dosjet, dukej si një drejtues i forcave speciale, që priste nga çasti në çast të hidhej në betejë. Në atë kohë, ai përdorte fuoristradën e blinduar, tip Magnium, që kryeministri Majko, ia kishte dërguar drejtuesve të komisariatit në Tropojë, si shenjë mbështetje për ta, në detyrën e vështirë që kishin marrë përsipër. Në ato ditë të vështira, kam udhëtuar nëpër zonat e nxehta me mjetin e blinduar që e drejtonte Beni.
Kemi ngrënë bukë bashkë, në mencën e varfër të komisariatit të Bajram Currit, sepse më lirë se aty nuk kishim ku tjetër të hanim. Jemi larë bashkë në degën e lumit Valbonë, Bistricë, se në komisariat nuk kishte ujë. Kam fjetur në krevatin tip marinari, në zyrën e Benit, brenda në komisariat, për të mos rënë preh e kërcënimeve.
Ndërsa sillja ndërmend keto kujtime, aty në lamtumirën e fundit të Gani Malushit, i kërkova dhe njëhere gati me lutje Benit. “Ruaju Beni. Nuk kemi nevojë për Dëshmorët në varreza, por për heronjtë e gjallë, që të sigurojnë jetët tona dhe të familjeve tona…” Dhe nga ajo kohë, Beni mbijetoi për familjen e tij dhe për ne, duke i shërbyer atdheut, si hetues në prokurorinë e krimeve të rënda, dhe në Policinë e Shtetit.
Deri sa sot paradite, një oficer me graden e lartë “Drejtues”, me 35 vite karrierë në Policinë e Shtetit, me vetëm një apartament modest banimi, si çdo shqiptarë i thjeshtë, mori “shpërblimin” për të gjithë sakrificën dhe jetën e tij, duke u flakur tej radhëve të Policisë nga një farë komision vetingu, sepse nuk kishte mbajtur faturë për punën e tij si emigrant gjate 3 viteve në Greqi…
Sot, Policia e Shtetit dhe shqiptarët, humbën një oficerë model. Arben Frashëri, sot pas 35 vitesh karrierë, nuk ra dëshmorë nga plumbat e krimit, si kolegu dhe miku i tij, por ra viktimë e një sistemi të korruptuar deri në palcë.. Kurajo Beni, hundën mund të ta thyejnë, por kokën nuk ta ulin dot…”
Reagimi i gazetares Klodiana Lala:
“E shkarkuat Arben Frasherin? Turp tju vije. Tani jepini dekorate Artan Shkembit. Here tjeter nuk ua con materialet trafikanteve me encro apo crypto, por udheton drejt Gjermanise, ua dorezon personalisht.
Vettingashe letyra…“
Reagimi i gazetarit Elton Qyno:
“Idealisti,sherbetori i Policise se Shtetit,krenaria e policise,nga sot nuk eshte me ne detyre.I papune dhe me damken se nuk justifikon pasurine,e hoqen me turp nga rradhet e Policise se Shtetit,Arben Frasherin.
Nuk di cfare te them per kete vetting dhe kush ka gjykuar Benin. Pa fjale…per nje shtepi 1+1.E ku tjeter duhet te qendroje nje person dhe cilin nga banditet te hetoje,kur te mos kete dhe nje shtepi?”
(TemA)