Ditën e djeshme është mbajtur mbledhja e përbashkët mes Shqipërisë dhe Kosovës, ku u arritën të firmosen plot 13 marrëveshje. Kabineti i qeverisë së Kosovës u prit nga kabineti qeveritar në Pallatin e Kongreseve.
Pas prezantimit të ministrave, dy qeveritë u ulën në tryezën e rrumbullakët, me sloganin “Bashkë pa kufij. Në një rajon pa kufij”. Në fushën e transportit hekurudhor u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës së Kosovës dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë.
Ky memorandum i nënshkruar nga të dy qeveritë është theksuar se është një fazë e re e zhvillimit të rajonit, që do të lehtësojë trafikun hekurudhor. Ministritë e të dy qeverive janë dakorduar që të lëvizin shpejt në përgatitjen e plotë të studimit të fizibilitetit dhe sigurimit të fondeve nga SHBA-ja BE-ja dhe buxhetet e të dy qeverive.
Kjo ka të bëjë më pikën e marrëveshjes të nënshkruar në Uashington ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku të dyja palët janë pajtuar se do t’i përkushtohen një studimi të fizibilitetit për mundësitë e lidhjes së infrastrukturës hekurudhore Beograd-Prishtinë, me një port në det të thellë në Adriatik.
Në takimin mes dy qeverive, po ashtu Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës dhe Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë nënshkruan një marrëveshje për ngritjen e grupit të punës për krijimin e Fondit të përbashkët në mbështetje të Luginës së Preshevës. Kosova dhe Shqipëria, po ashtu, kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi për krijimin e Korridorit Digjital 5G, dhe lehtësimin e lëvizjes në të ardhmen ndërmjet Ministrisë së Ekonomisë dhe Ambientit të Kosovës dhe Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë të Shqipërisë.
Për këtë pikë, të dy qeveritë janë pajtuar që të shohin mundësitë dhe alternativat e duhura për teknologjinë 5G. Marrëveshje, memorandume dhe dokumente bashkëpunimi Kosova dhe Shqipëria nënshkruan edhe për fushën e sigurisë, arsimit, shëndetësisë e të tjera. Durrësi kthehet në port strategjik Një tjetër marrëveshje e firmosur mes dy qeverive është ajo e shndërrimit të portit të Durrësit në një pikë doganore të përbashkët. Rama tha pas mbledhjes se kjo do të konkretizohet vetëm javët e ardhshme në Kosovë.
Sipas kryeministrit, Porti i Durrësit do shndërrohet defacto një port edhe për Kosovën. Rama theksoi se më tej se Porti i Durrësit duhet të kthehet në një port strategjik për të gjithë rajonin. “Porti i Durrësit do shndërrohet në defacto edhe të Kosovës. Do të trajtohet si hyrje në Kosovë. Është hap i rëndësishëm që porti i Durrësit të kthehet në port strategjik edhe në rajon.
E kam konstatuar si fakt edhe në marrëveshjen që u nënshkrua në SHBA. Me këtë marrëveshje do të mundësojmë kryerjen e kontrolleve të përbashkëta. Kriza e shkaktuar nga pandemia nxori në pah, jo vetëm dobësitë, por edhe pikat e realitetit. Faktet në kohën që jetojnë kanë shumë pak peshë në sytë dhe veshët e njerëzve se lajmet e rreme. Edhe për këtë fakt pak kush e ka marrë mundimin të flasë”, tha Rama.
Ndërsa ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka prezantoi marrëveshjen mes Kosovës dhe Shqipërisë për sigurinë dhe ndihmën në raste të fatkeqësive natyrore. Ajo tha se strukturat shqiptare janë modernizuar dhe se kemi shumë për të mësuar nga përvojat kosovare.