Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka akuzuar rëndë kreun e Partisë Demokratike se në këmbim të mbylljes së protestës së Astirit dhe asaj të rrugës së Kombit, Lulzim Basha ka marrë katër vila duke u vënë gjoba biznesmenëve.
I pranishëm në njësinë numër një të Tiranës, Veliaj deklaroi se Basha u vendos gjoba biznesmenëve që të mbyllë gojën dhe në një vit kaq të vështirë ekonomik për shkak të pandemisë, ai dhe kunati i tij, janë pasuruar.
“Kryetari juaj, ai i gjumit, ai që i ngeci sahati sapo u bë me katër vila të reja. Vitin e tërmetit, si ka mundësi? Si ka mundësi vitin që të gjithë shqiptarët o i humbën, o iu dëmtua shtëpia, kryetari i opozitës bëhet me katër vila, me këto gjobat që iu thashë.
Gjobë këtij e gjobë atij që t’i mbyllin gojën, një biznesmen thotë po t’i jap çfarë do dhe të bie rehat. I keni vënë re si janë mbyll protestat. U mbyll protesta e rrugës së kombit, ca mori në këmbim, pse heshti? Pse u mbyll protesta e Astirit, ca mori në këmbim, pse heshti?
Pse nuk flet për hallet e njerëzve të thjeshtë, por në çdo debat pazarin e vet. Ku jam në listë, ku është koalicioni, sa është përqindja, si do i marr vilat?
Pra në vitin më të vështirë ekonomik, të gjithë të tjerët kanë mbajtur një peshë, të gjithë të tjerët kanë pasur një vuajtje, të gjithë të tjerët janë tkurrur. Si ka mundësi vetëm kunati i vet i ka shku fitimi përpjetë. Nga vijnë këto para, si shtohet dhjetëfish të ardhurat e një familje duke qenë në opozitë.
Këta nuk kanë lidhje me hallet e njerëzve. Këta nuk janë përpjekur një ditë për hallet e njerëzve. Këto katër vite kam qenë këtu çdo muaj, e keni parë ka katër vjet. Do të kthehet për vota, por kur të kthehet për vota do të jetë shumë vonë”, deklaroi Veliaj.