SHBA merr në patronazh Shqipërinë, shkon në Kuvend pakti me NATO për bazën e Kuçovës. NATO ka gati projektin për të investuar në bazën e Kuçovës. Pas marrëveshjes paraprake mes dy vendeve është folur gjatë për këtë bazë, por tashmë ka një dokument konkret, afate konkrete dhe buxhet konkret.
Në Kuvend ka shkuar marrëveshja mes shtetit shqiptar dhe NATO për bazën e avionëve në Kuçovë, e cila pritet që brenda viti 2023 të jetë tërësisht funksionale dhe do u shërbejë operacioneve të NATO e veçanërisht të SHBA në Lindjen e Mesme.
Marrëveshja vjen në një kohë kur ka nisur një betejë e fortë për Ballkanin. Presidenti Trump arriti një marrëveshje të fortë mes Kosovës e Serbisë, ndërkohë që nga ana tjetër Rusia e Kina kanë shtuar lëvizjet për të ndikuar në Ballkan. Ndërtimi i bazës në vendin tonë është padyshim një tregim dhëmbësh për rusët dhe kinezët.
Nga ana tjetër është dhe një sinjal se amerikanët po marrin në dorë fatet e Shqipërisë. Prej 30 vitesh klasa politike ka bërë çfarë i ka dashur qejfi, por tashmë litari duket se po ngushtohet. SPAK dhe BKH janë në dorë të SHBA. Nga ana tjetër NATO do të vijë te ne. Kjo do të thotë se politika nuk do mendojë dot më vetëm për të mbushur xhepat.
Fondet
Por çfarë parashikon dokumenti në fjalë? Aty jepen detajet e investimeve në pistë dhe sipas parashikimeve amerikanët do të investojnë fillimisht 41.317.000 euro. Sipas draftit, 100 mijë euro do të përdoren për restaurimin e kullës së kontrollit. 8.545.000 euro do të shkojnë për sigurimin e mjediseve për depozitimin dhe furnizimin me karburant për avionët. 2,000,000 euro do të përdoren për sigurimin e mjediseve për municionin. 672,000 euro për sigurimin e qendrës kundër avarive dhe zjarrit dhe 30.000.000 euro për restaurimin e pistës.
“Kjo marrëveshje ka për qëllim investimin nga NATO për implementimin e programit, i cili do të mundësojë modernizimin e bazës ajrore Kuçovë dhe kthimin e saj në një bazë ajrore taktike (TACAIR) të NATO-s. Rëndësia që ka ky projekt për vendin tonë vjen si pasojë se investimi është i gjithi me fondet e NATO-s, investim ky që mbart një vlerë prej afërsisht 50.000.000 eurosh.
Ky investim dhe projekt janë të parët në llojin e vet që bëhen për vendin tonë. Investimi nga NATO për realizimin e projektit do të sjellë një rivitalizimin dhe modernizimin e bazës ajrore të Kuçovës, si dhe kthimin e saj në një bazë ajrore taktike (TACAIR) të NATO-s, dhe vënien në përdorim të saj për NATO-n, duke qenë dhe një investim strategjik i NATO-s për Ballkanin”, thuhet në relacionin e marrëveshjes.
Detajet
Në formatin e saj, kjo marrëveshje është një model standard i përdorur nga Agjencia për Mbështetje dhe Prokurimeve të NATO-s (NSPA), për implementimin e projekteve të saj.
Në të parashikohen mënyrat e implementimit të projektit, si dhe detyrimet që do të kenë palët nënshkruese të kësaj marrëveshjeje. Vendi ynë do të ketë përgjegjësitë, si më poshtë vijon: Të jetë koordinator teknik i projektit gjatë gjithë fazave të këtij projekti; Të rishikojë dhe të pranojë specifikimet teknike të propozuara nga NSPA-ja në lidhje me projektin:
Të thërrasë dhe të drejtojë mbledhjet në lidhje me implementimin dhe progresin e projektit; Të kërkojë bashkëpunimin me strukturat kombëtare dhe ushtarake për të lehtësuar implementimin e projektit; Të kërkojë fonde te Komiteti i Investimeve, me mbështetjen e NSPA-së; Të jetë pikë lidhëse ndërmjet NSPA-së dhe strukturave kombëtare; Të marrë masat e nevojshme që të gjitha pajisjet/mallrat/materialet, të cilat do të hyjnë në territorin e Republikës së Shqipërisë, me qëllimin specifik për përmbushjen e qëllimit të kësaj marrëveshjeje dhe implementimit të projektit, do të përjashtohen nga TVSH-ja, detyrimet doganore dhe taksat e tjera etj.
Ndërsa detyrimet e NATO janë, si më poshtë vijon: Të drejtojë aktivitetet për menaxhimin e qëllimit dhe të fondeve, në përputhje me punimet e aprovuara nga Komiteti i Investimeve:
Të blejë dhe të menaxhojë shërbimet arkitekturore dhe inxhinierike për të finalizuar projektin, me autorizim të Komitetit të Investimeve dhe në përputhje me legjislacionin e brendshëm të Republikës së Shqipërisë; Të marrë dhe të menaxhojë supervizorë ndërtimi, siç është parashikuar në legjislacionin shqiptar; Të japë raportime periodike ndaj vendit pritës (Shqipërisë), në mënyrë që kjo e fundit të mbikëqyrë implementimin e projektit; Të hartojë raporte specifike për vendin pritës, të cilat do t’i dorëzohen Komitetit të Investimeve sipas kërkesave; Të marrë pjesë në takimet dhe rishikimet për implementimin e projektit të drejtuar nga koordinatori teknik i projektit; Të dërgojë informacion në lidhje me kontraktorët dhe nënkontraktorët shqiptarë, të cilët do të marrin pjesë në procedurat e prokurimit për përmbushjen e qëllimit të kësaj marrëveshjeje, në mënyrë që të verifikohen nga autoritetet kompetente të Ministrisë së Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë, për t’u bërë pjesë e listës së resurseve të NSPA-së.
Afatet
Në dokument janë dhënë dhe afatet se kur do të jetë gati pista në fjalë. Sa i takon kullës së kontrollit, puna do jetë e ndarë në disa faza, por në nëntor të 2022 ajo do të jetë gati. Sigurimi i mjediseve për depozitimin dhe furnizimin me karburant për avionët dhe sigurimi i mjediseve për municionin do të mbyllen në nëntor 2023. Sigurimi i qendrës kundër avarive dhe zjarrit parashikohet të jetë gati në nëntor 2022.
Ndërsa pista do të jetë gati në nëntor të 2023. Pra në fund të vitit 2023 mund të nisin normalisht fluturimet nga baza e Kuçovës.