Shqipëria rrezikon të kthehet në vatër për emigrantët nga Lindja e Mesme. Kohët e fundit çdo ditë janë arrestuar persona për trafik refugjatësh pasi vendi ynë është kthyer në një vend tranzit.
Ndërkohë dje janë dhënë disa sinjale se në disa zona të vendit do të ngrihen kampe për strehimin e refugjatëve. Përmes një publikimi në Fletoren Zyrtare, Ministria e Financave ka përcaktuar të gjitha rregullat dhe procedurat që do ndiqen për të siguruar strehim të përkohshëm në kushte të përshtatshme për këtë kategori.
Së pari rregull i rëndësishëm është që këto kampe strehimi të ndërtohen në zona jashtë rrezikut dhe të regjistruara si të mbrojtura. Duhet me patjetër të jenë të disponueshme shërbimet bazë, si dërgimi i ujit dhe ushqimeve.
“Strehët e përkohshme duhet të ndërtohen, në zona që: janë të pastra nga ndotja e ajrit, ndotja e tokës apo forma të tjera që përbëjnë rreziqe shëndetësore, kërcënime dhe rreziqe natyrore ose njerëzore, sipas ligjit në fuqi mbi mbrojtjen civile, mbrojtjen e mjedisit dhe cilësinë e ajrit në mjedis; janë të ekspozuara ndaj rrezatimit diellor; nuk janë të ekspozuara ndaj kushteve ekstreme klimatike; respektojnë legjislacionin në fuqi lidhur me ekspozimin ndaj nivelit të zhurmave; ofrojnë akses të automjeteve, furnizim me ujë dhe energji elektrike; mundësojnë akses në shërbimet thelbësore, përmes transportit publik të rregullt ose të posaçëm”, thuhet në vendim.
Ndër të tjera qeveria duke marrë parasysh se refugjatët janë të paambientuar me vendin ka vendosur që hapësirat për çdo person të jetë jo më pak se 30 metër katrorë, në zona të afërta dhe të jetë terren i lehtë për tu përshkuar. “Njësitë përgjegjëse, për ngritjen e kampeve të strehimit, zgjedhin zona që mundësojnë:të paktën 30 m² sipërfaqe trualli për banor; drenazhim të lehtë dhe sipërfaqe toke të përshkueshme. Pjerrësia e rekomanduar është nga 1% deri në 5%”, sqarohet në vendim.
Strehim edhe për ata me aftësi të kufizuara
Ndër të tjera në vendim bëhet e ditur se do mund të strehohen në shtetin shqiptar edhe ata refugjatë që janë në moshë pensioni si dhe ata të cilët janë me aftësi të kufizuara, pavarësisht se është e ditur që kësaj kategorie i nevojitet shërbim shtesë. Ndërsa në ato kampe ku do të strehohen një numër i lart refugjatesh dhe në mes tyre do të ketë fëmijë, do u vihet në dispozicion përkujdes mjekësor dhe psikologë.
“Strehët duhet të krijojnë mundësi edhe për strehimin e të moshuarve dhe/ose personave me aftësi ndryshe, në mënyrë që të jenë të aksesueshme dhe përshtatshme për këto grupe shoqërore. Në rastin e kampeve të strehimit apo të fjetoreve me numër të lartë banorësh, për çdo grup prej 15–60 banorësh, duhen të ofrohen hapësira dhe shërbime shtesë, si: për gatim, ngrënieje/mensa, për kujdes mjekësor apo psikologjik dhe për fëmijët”, thekson një nga pikat në vendim.
Ndërsa më poshtë tregohet se me patjetër që për çdo familje duhet të sigurohen hapësira të veçanta dhe të sigurta. Sakaq vlera e investimit për këtë program vazhdon të rritet ku në pikën 9 bëhet e qartë se për të gjithë kampet do të sigurohet ujë, gaz për gatim si dhe sistem ngrohës përgjatë dimrit, madje dhe mjete freskimi gjatë verës.
“Të sigurojnë akses në ujë, energji elektrike dhe/ose gaz; projektimi mundëson ngrohje gjatë sezonit të ftohtë dhe freskim gjatë periudhës së nxehtë. Sigurisht që qeveria ka menduar edhe për argëtimin e refugjatëve që do të pushtojnë vendin tonë së shpejti”, thuhet aty. Prandaj ndër të tjera në vendim thuhet se kur është e mundur, projektohen në to hapësira shoqërore të përbashkëta për banorët, si dhe hapësira të lojërave për fëmijë. Si dhe hapësirat e strehëve dhe të shërbimeve duhet të pajisen me mobilie, pajisje dhe sende të përshtatshme për të garantuar funksionalitetin dhe standardet e duhura të jetesë. /SHKRUAR NGA ESMERALDA HIDA