Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi, ka paralajmëruar se shumë shpejt do të vijnë edhe goditjet e korrupsionit të nivelit të lartë.
Teksa të gjithë presin nga reforma në drejtësi që të bëjë goditje të bujshme, duke dërguar pas hekurave kriminelë të nivelit të lartë, deri më tani nuk janë parë arrestime të këtij niveli.
Mirëpo sinjalet janë dhënë që shumë shpejt këto goditje do të vijnë. Sikurse e ka paralajmëruar edhe dje kreu i KLP, frytet e SPAK dhe BKH do të shihen shumë shpejt, të cilat do të jenë edhe hallka kryesore e goditjes së korrupsionit të nivelit të lartë.
Deklarata e tij u bë në një takim me ambasadoren holandeze. “Zoti Ibrahimi u shpreh besimplotë se në bashkëpunim edhe me organizatat dhe misionet ndërkombëtare, SPAK dhe BKH, si dy hallka kyçe në hetimin dhe goditjen penale ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit në nivele të larta, do të korrin së shpejti frytet e punës së kryer deri më tani”, thuhet në njoftimin e KLP.
Takimet
Sakaq kreu i KLP ka nisur një sërë takimesh, ku fokusi ka qenë pikërisht SPAK dhe BKH. Vetëm ditën e djeshme ai ka zhvilluar dy takime të rëndësishme. Drejtuesi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë ka pritur në një takim Ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri.
Takimi u zhvillua në ambientet e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, ku ambasadorja holandeze, znj. Guusje Korthals Altes u shoqërua nga zëvendësambasadori z. Rogier Nouëen dhe këshilltari ligjor z. Hemion Braho. Ambasadorja e Mbretërisë së Holandës, znj. Korthals Altes shprehu vlerësimet për punën e Këshillit, ndërkohë që përgëzoi procesin e reformës në drejtësi duke theksuar mbështetjen e Mbretërisë së Holandës në konsolidimin e institucioneve të reja të drejtësisë në Shqipëri.
Palët në takim vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm. Sakaq Ibrahimi siguroi gjithashtu edhe lehtësimin e zbatimit të projekteve të ndërmarra në funksion të forcimit të shtetit ligjor, të financuara nga qeveria holandeze. Kryetari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë shprehu mirënjohjen për kontributin e dhënë nga Mbretëria Holandeze, në kuadër të zhvillimit të mëtejshëm të reformës, si dhe siguroi mbështetjen e plotë të institucionit që ai drejton në forcimin e shtetit të së drejtës.
Po ashtu Ibrahimi ka zhvilluar gjatë ditës së djeshme edhe një takim tjetër. I shoqëruar nga anëtari i KLP, Vatë Staka, Ibrahimi pati takim me kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, Arben Shehun. Takimi ishte prezantues dhe u mbajt në zyrën e Shehut.
Gjatë takimit të tyre, sikurse bën me dije KLP në faqen e saj zyrtare, Ibrahimi pasi i uroi suksese për detyrën e re, nënvizoi edhe nevojën për një rritje të cilësisë së kallëzimeve penale nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit, si dhe rritjen e përgjegjshmërisë së prokurorëve në hetimin e tyre dhe siguroi Shehun për bashkëpunim institucional në kuadër të sfidave që ka zbatimi i reformës në drejtësi.
Reagojnë ndërkombëtarët
Ndërkohë dje në një deklaratë për mediat nga Shkodra, ambasadori britanik Duncan Norman ndër të tjera foli edhe për reformën në drejtësi.
Ai u shpreh se Britania është mbështetëse e madhe e reformës në drejtësi. “Britania e Madhe është mbështetëse e madhe e reformës në drejtësi dhe dje pata mundësi të takoj kreun e FBI shqiptare, Aida Hajnaj dhe krijimi i BKH është i rëndësishëm dhe patjetër që ne do donim që kjo të ndodhte me shpesh, por e vërteta është se nuk kemi alternativa të tjera dhe duhet të shohim reformën në drejtësi që të realizohet”, deklaroi ai.