Ilir Meta ka vijuar me kërcënimet ndaj kryeministrit Edi Rama përmes mesazheve të koduara. Sa herë tensionohet situata dhe nuk e sheh veten në pozita komode, presidenti Meta përdor kodet për të paralajmëruar e sulmuar kundërshtarët, ku gjatë këtyre kohëve nuk ka munguar dhe përmendja e heronjve shqiptarë.
Dje Meta i ka çuar një tjetër mesazh kërcënues kryeministrit Rama, pasi ka kujtuar atentatin e Heroit të Popullit, Avni Rustemi kundër Esad Toptanit. Kreu i shtetit ka vlerësuar dje Heroin e Popullit, Avni Rustemi (pas vdekjes) me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”.
Asgjësoi armikun që mbante peng vendin
Kështu në arsyetimin e dhënë nga Presidenti i Republikës, thuhet se vlerëson Rustemin pasi asgjësoi armikun kryesor të brendshëm, që mbante peng procesin e rivendosjes se Pavarësisë e të sovranitetit të shtetit shqiptar.
Sipas Metës, vrasja e Esad Pashë Toptanit 100 vjet më parë në Paris, është një ngjarje për të cilën duhet të jemi të gjithë mirënjohës. “Me rastin e 125-vjetorit të lindjes, në vlerësim dhe mirënjohje të thellë për aktin e tij të lartë patriotik, që kreu 100 vjet më parë, duke asgjësuar armikun kryesor të brendshëm, që mbante peng procesin e rivendosjes së Pavarësisë e të sovranitetit të shtetit shqiptar të shpallur nga Ismail Qemali, kam sot nderin dhe privilegjin të vlerësoj Heroin e Popullit, Avni Rustemi, me Dekoratën e Flamurit Kombëtar, më të lartën e Republikës.
Akti i tij burrëror dhe mbrojtja dinjitoze e çështjes shqiptare në gjyqin historik të Parisit, patën një jehonë të gjerë ndërkombëtare dhe u bënë burim frymëzimi për qëndresën mbarë shqiptare kundër pushtuesve të huaj dhe bashkëpunëtorëve të tyre, gjë që u manifestua në Luftën Kombëtare të Vlorës”, shkruan presidenti Ilir Meta në rrjetet sociale.
Metë kërcon me “jetë” Ramën
Por kjo dekoratë duket se nuk është aspak e rastësishme, pasi është një mesazh shumë i qartë për zhvillimet aktuale në vend dhe një paralajmërim për kryeministrin Edi Rama. Zoti Meta jo pak herë ka sulmuar kryeministrin Rama se po mban vend demokracinë në vend, duke e shndërruar atë në një diktaturë.
Kështu që nisur nga fakti që edhe në statusin e tij, kreu i shtetit përmend togfjalëshin “asgjësim i armikut të brendshëm që mban peng vendin”, duket qartë që ky është një kërcënim që shkon në adresë të shefit të qeverisë shqiptare.
Madje, pak ditë më parë Meta e kërcënoi hapur Ramën me jetë, pasi gjatë një konference për shtyp e Meta e ka krahasuar atë me një pengmarrës autobusi, duke e paralajmëruar se nëse një pengmarrës nuk negocion atëherë e di fundin. Në të tilla raste policia i ekzekuton pengmarrësit për të ruajtur qytetarët. Si duket Meta i ka dërguar mesazh të koduar kryeministrit.
Më herët, në një deklaratë për mediat që ka pasur, Meta i ka treguar muskujt Ramës, teksa është shprehur se nuk është politikan i racës së Nikola Gruevskit, por i racës së Avni Rustemit. “Kam dy fjalë për miliarderin Soros, ju uroj jetë të gjatë, suksese dhe të birit që vjen shpesh në Shqipëri, t’i gëzojë miliardat, por Ilir Meta nuk është i racës së Gruevskit, është presidenti i vendit dhe i del për zot vendit.
Jam i racës së Avni Rustemit, Mic Sokolit, Vojo Kushit. Jam i gatshëm të bëj testin e shëndetit mendor dhe pas kësaj krize duhet të vëmë në Kushtetutë testin e shëndetit mendor dhe jam gati të bëj edhe testin e drogës, kurse për testin e shqiptarit, e dinë ata që e kam bërë e do ta bëj në çdo kohë”, deklaroi ai pak kohë më parë.
Nga ana tjetër, presidenti Ilir Meta i ka dërguar mesazh të koduar, duke e kërcënuar kryeministrin Rama edhe kur ka kujtuar në maj të këtij viti atentatin e Heroit të Popullit, Vasil Laçi që i bëri mbretit italian, Viktor Emanuel III para 79 vitesh në Shqipëri.
Kreu i shtetit ka organizuar dje një ceremoni solemne në institucionin e Presidencës, ndërsa vlerësoi Heroin e Popullit Vasil Laçi (pas vdekjes) me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, me motivacionin atdhetar antifashist. /RIGELS SELIMAN