Pavarësisht nëse Putini urdhëroi apo jo në mënyrë direkte helmimin e Alexei Navalny, ai krijoi sistemin që e lejoi këtë gjë të ndodhte – një sistem joefektiv, i papërgjegjshëm dhe i prirur për destabilizim nga aktorë mashtrues. Perëndimi duhet ta mbajë atë përgjegjës.
Nga Nina L. Khrushcheva
Ekspertët mjekësorë gjermanë, francezë dhe suedezë janë në një mendje: Alexei Navalny, kritiku i profilit më të lartë i presidentit rus Vladimir Putin dhe themeluesi i Fondacionit Anti-Korrupsion, u helmua me agjentin nervor Novichok. Navalny ka mbijetuar. Marrëdhënia e Rusisë me Gjermaninë mund të mos ketë mbijetuar dhe ky nuk do të ishte domosdoshmërish një rezultat i keq.
Duke theksuar rëndësinë e marrjes së “një qëndrimi të qartë”, kancelarja gjermane Angela Merkel ka deklaruar se Navalny është “viktimë e një krimi që synon ta heshtë atë”. Sipas mendimit të saj, çështja ngre “pyetje shumë serioze” të cilave “vetëm qeveria ruse” mund – dhe duhet – t’u përgjigjet. “Bota”, pranoi ajo, “do të presë një përgjigje.”
Merkel u ka bërë thirrje autoriteteve ruse të fillojnë një hetim të pavarur dhe transparent për helmimin e Navalny. Bashkimi Evropian dhe Mbretëria e Bashkuar i kanë bërë jehonë kësaj thirrjeje. Nëse një hetim i tillë do të ekspozonte shtetin rus si fajtor për këtë çështje, sugjeron Komisioni Evropian, atëherë mund të vendosen sanksione të reja. Mbi të gjitha, sipas Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike, helmimi cilësohet si përdorim i një arme të ndaluar.
Kjo nuk është hera e parë që qeveria e Rusisë implikohet në përdorimin e Novichok kundër armiqve të supozuar të Putinit. Në 2018, ish-agjenti i dyfishtë rus Sergei Skripal dhe vajza e tij, Julia, u helmuan në Britani. Të dy mbijetuan dhe tani janë fshehur.
Kremlini mohon përfshirjen e tij në secilin rast. Lidhur me helmimin Navalny, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, këmbëngul se nuk ka “asnjë bazë për të akuzuar shtetin rus” për përfshirje. Sergei Naryshkin, kreu i agjencisë së inteligjencës së jashtme të Rusisë, shkoi më tej, duke argumentuar se agjencitë perëndimore të inteligjencës mund ta kenë orkestruar helmimin për të diskredituar Rusinë.
Ndërkohë që ky pretendim i Naryshkin është shumë i pagjasë, ai ka të drejtë: sulmi ndaj Navalny i bën Rusisë më shumë dëm sesa dobi. Vendimi për të helmuar një kundërshtar politik të profilit të lartë menjëherë para zgjedhjeve lokale – me një agjent nervor sovjetik – sfidon logjikën politike. Dhe me protestat kundër zgjedhjeve presidenciale të gushtit që përfshinë Bjellorusinë fqinje, momenti kur ka ndodhur kjo ngjarje duket shumë i çuditshëm.
Për më tepër, përgjigja fillestare e Kremlinit ndaj helmimit të Navalny ishte jashtëzakonisht konfuze. A nuk duhet që zyrtarët të kishin sajuar një histori të qëndrueshme para se të urdhëronin sulmin? Nëse pas kësaj ngjarjeje do të fshihej vërtet shteti rus, siç pretendojnë gjermanët, komploti duket se ka qenë një dështim spektakolar.
Putini është prezantuar prej kohësh si një lloj Darth Vader i politikës globale, i aftë të përzihet në zgjedhjet amerikane, të organizojë protesta në Francë, të merret me Brexi-in dhe të mbështesë diktatorë si Bashar al-Assad i Sirisë. Një ish-njeri i KGB-së, ai është i zgjuar, strategjik dhe dinak. Atëherë, pse nuk mundi të arrinte të vriste Skripals-ët ose Navalny-n? Dhe pse Rusia do t’ia dorëzonte Navalny-n Gjermanisë, ku Novichok do të zbulohej shpejt?
Tani Putin përballet me një protestë ndërkombëtare dhe kërcënimin e sanksioneve, përfshirë anulimin e mundshëm të projekteve fitimprurëse ndërkombëtare si tubacioni i gazit Nord Stream 2. Nuk duket se ia vlen të helmosh Navalny-n për të rrezikuar kaq shumë gjëra. Në fakt, sulmi i ngjan një taktike anti-ruse sesa një komploti të lig nga ana e Kremlinit.
Megjithatë, nëse nocioni se Putini urdhëroi drejtpërdrejt sulmin është i dyshimtë, pretendimi se agjentët e inteligjencës perëndimore e orkestruan atë është edhe më shumë i tillë. Shkencëtarët gjermanë ose suedezë, ndryshe nga homologët e tyre rusë, nuk kanë gjasa të binden që të hiqen sikur gjetën Novichok në organizmin e Navalny.
Një shpjegim më i mundshëm qëndron në sistemin politik të Rusisë, i cili drejtohet nga siloviki – aleatët politikë të Putinit, baza e pushtetit të të cilëve është tek aparati i sigurisë. Disa funksionarë mund të kenë menduar se Putini donte ta heshtte Navalny-n para zgjedhjeve lokale; të tjerë mund të kenë qenë subjekte të hetimeve të korrupsionit të kryera nga Navalny.
Në Rusi, të gjitha llojet e mallrave dhe shërbimeve – përfshirë agjentët nervorë të shkallës ushtarake – tregtohen në tregun e zi. Dhe silovikët i kanë këto pozicione sot vetëm prej besnikërisë dhe jo prej aftësisë së tyre. Shumë prej tyre mund të kenë menduar marrëzisht se helmimi i Navalny ishte një ide e mirë. Do të nevojiteshin vetëm dy të tillë për ta kryer veprën.
Helmime të tjera të dështuara – të tilla si ajo e Vladimir Kara-Murza, një gazetar dhe koordinator i organizatës së Mikhail Khodorkovsky “Open Russia”, në vitin 2015 dhe 2017 dhe e Pyotr Verzilov, botuesi i “MediaZona”, një faqe lajmesh që shkruan për abuzimet në sistemin e drejtësisë ruse, në vitin 2018 – mund të kenë origjinë të ngjashme. E njëjta gjë mund të jetë e vërtetë për helmimin vdekjeprurës në vitin 2006 të Alexander Litvinenko, një ish-oficer i KGB-së, i cili shpesh kritikonte shërbimet ruse të sigurisë.
Ashtu si helmimi i Navalny, këto sulme shpesh kanë qenë kundër-produktive. Në vitin 2004, Anna Politkovskaya, një gazetare për gazetën liberale Novaya Gazeta, u sëmur nga toksinat në bordin e një aeroplani që udhëtonte nga Moska për në Beslan. Ajo mbijetoi, por u qëllua për vdekje në ashensorin e pallatit të saj dy vjet më vonë. Siç vuri në dukje Putini në atë kohë, “vdekja e saj i shkaktoi imazhit të Rusisë dëme më të mëdha sesa shkaktonin raportimet e saj”.
Kjo nuk është për ta shfajësuar Kremlinin për asnjë nga këto sulme. Pavarësisht nëse Putini urdhëroi apo jo direkt çdo goditje, ai krijoi sistemin që i lejoi ato të ndodhnin – një sistem joefektiv, i papërgjegjshëm dhe i prirur për destabilizim nga aktorë mashtrues.
Vdekja e Navalny mund të shihej si diçka që mjeshtri i Kremlinit e dëshironte dhe objektiva e silovikive është pikërisht të kënaqin mjeshtrin e tyre. Në një sistem të paqëndrueshëm që ka në qendër Putinin, ata kanë pak mundësi legjitime për të siguruar stabilitet. Dhe edhe nëse përpjekjet e tyre për të zgjidhur çështjet personale dhe politike japin efekt të kundërt, ata nuk do të ndëshkohen. Ata gjithmonë mund të pretendojnë se po përpiqeshin të mbronin interesat e presidentit.
Ata që tani akuzojnë Kremlinin për helmimin e Navalny nuk ka gjasa të gjejnë ndonjë gjë ta vërtetojë këtë. Nuk ka rëndësi. Në fund të fundit, fajin e ka Kremlini. Perëndimi duhet të jetë i qëndrueshëm dhe i bashkuar në mbajtjen e tij përgjegjës, edhe nëse kjo nënkupton zbatimin e sanksioneve ose politikave të tjera që bien ndesh me interesat e veta ekonomike.
Putini krijoi një sistem që e vendos atë në qendër të tij. Në Rusi, aty duhet gjetur e gjithë përgjegjësia ose faji.
* Project Syndicate-Birn