Pas ndryshimeve kushtetuese, çështjet më të nxehta që janë në tryezën e Këshillit Politik janë heqja e koalicioneve parazgjedhore dhe hapja e listave, për të cilat palët ende nuk kanë gjetur dakordësi.
Partia Socialiste shprehet e vendosur për heqjen e koalicioneve parazgjedhore, ndërkohë që për Partinë Demokratike dhe për Lëvizjen Socialiste për Integrim kjo çështje është vija e kuqe. Deputetja e Partisë Socialiste, Klotilda Ferhati komentoi ditën e djeshme debatin për këto dy çështje.
Gjatë një interviste televizive, ajo tha se Kushtetuta nuk i ndalon koalicionet në mënyrë të shprehur, por sipas saj në një sistem me lista të hapura çështja e koalicioneve nuk është e nevojshme. Ferhati shtoi se në të gjitha standardet listat e hapura nuk pranojnë koalicione sepse qytetarët do të votojnë për një emër të preferuar që do i përfaqësojë.
“Çështja e debateve në lidhje se ka apo nuk ka koalicione është ezauruar, madje kemi thënë se Kushtetuta nuk i ndalon në mënyrë të shprehur, por thjesht duhet të kuptohet se në një sistem me lista të hapura koalicionet, siç kanë ndodhur para ndryshimeve kushtetuese ku në një koalicion ishin disa parti dhe secila parti kishte listë me 140 emra, nuk mund të ndodhi, sepse vota parapëlqyese do jepet patjetër për një individ dhe nuk mund të ketë pafundësisht fletë dhe lista ku qytetari të jetë i konfuzuar kur ushtron të drejtën e votës.
Sepse sistemet zgjedhore, siç e kanë thënë të gjithë ndërkombëtarë, siç janë standardet e mirënjohura me lista të hapura nuk i pranojnë dot koalicionet parazgjedhore si ato që ekzistonin para ndryshimeve kushtetuese në Shqipëri”, tha Ferhati.
Deputetja e PS shtoi më tej se PD-LSI duhet të sjellë në tryezën e Këshillit Politik propozimet e veta, duke kërkuar nga opozita që dialogun të mos e kthejnë në monolog, gjë që ka sjellë dhe mosdakordësinë e palëve.
“Kuvendi i Shqipërisë është institucioni legjitim për ndryshimet kushtetuese dhe jo vetëm ka përdorur të gjithë mekanizmat e duhur ligjorë për të bërë atë që historikisht nuk ka ndodhur më parë në Shqipëri, ku mazhoranca dhe opozita bien dakord për të pranuar së bashku një propozim të opozitës parlamentare për hapjen e listave dhe është mbështetur nga mazhoranca në Parlament.
Kemi kërkuar nga opozita jashtëparlamentare të sjellë opsionet e veta në tavolinë, por nuk mundet që dialogu të kthehet në monolog. Pra nuk mund të qëndrojë në istikam asnjëra palë, por duhet të gjejnë zgjidhjen që i shërben interesit publik. Populli do zgjedhje me lista të hapura, populli përveç partisë do të votojë dhe një emër individi”, tha Ferhati.