Në vitin 1999 pas një përplasje me Sali Berishën, Genc Pollo përçau Partinë Demokratike, duke marrë një grup deputetësh dhe duke themeluar PDR.
Ndarja dukej pa kthim. Pollo dhe të tijtë i dhanë kosto të mëdha PD-së. Humbjen në zgjedhjet lokale në vitin 2000, por edhe shumë zona në zgjedhjet parlamentare të 2001.
Në atë kohë Genc Pollo u mbështet nga Tritan Shehu, Ferdinand Xhaferri, Enno Bozdo, Kreshnik Çollaku etj.
Pollo bëri partinë e tij dhe sot ai ka marrë kontrollin e Partisë Demokratike, e cila është më shumë e tija sesa e Lulzim Bashës.
Më poshtë le të rendisim faktet që e vërtetojnë këtë:
Tritan Shehu u largua nga PD-ja për tu rikthyer më pas, por jo si deputet. Tani prej gjashtë muajsh është deputet i parlamentit, i vendosur nga Lulzim Basha dhe i rekomanduar dhe mbështetur nga Genc Pollo. Edhe lajmin që do ishte i pari i Gjirokastrës e tha ky i fundit.
Enno Bozdo, një nga njerëzit kryesorë të PDR-së, prej gati pesë vitesh mban postin e Sekretarit Organizativ në PD, është krahu i djathtë i Lulzim Bashës dhe njeriu që në degë vendosi ku mundi anëtarë të PDR-së.
Kreshnik Çollaku është drejtues departamenti dhe kryetar i grupit të këshilltarëve të djathtë në Bashkinë e Tiranës, por mes tij dhe Pollos në fakt kohë më parë pati një krisje të madhe.
Në Korçë, dega drejtohet nga ish-kryetari i PDR-së, Andrea Mano. Dhe e ka shkërmoqur, copëtuar dhe përçarë degën. Nga një parti e madhe e ka kthyer në forcën që garën çuditërisht dhe turpësisht tani e ka me LSI-në.
Në Durrës, dje Basha largoi Oerd Bylykbashin dhe komandoi kryetar dege Ferdinand Xhaferrin. Të fundmin nga çeta e Pollos të PDR-së, që me Bashën kryetar kishte ngelur ende pa post.
Xhaferri ka qënë dy herë të tjera kryetar i degës së Durrësit. Ka qënë dhe dy herë kandidat për kryetar Bashkie. Një herë nga Genc Pollo dhe herën e dyte nga Berisha dhe çuditi dynjanë me “përmirësimin e cilësisë që do ti bënte cilësisë së rërës dhe diellit në Durrës”, por Xhaferri që kish ngelur pa simite dje mori copën e tij, pas mbështetjes që i bëri Genc Pollo dhe Fahri Balliu. A thua se në Durrës kanë vdekur demokratët, a thua se nuk ka më zonja dhe zotërinj intelektualë, që të drejtojnë një nga degët më të forta që ka pasur Partia Demokratike.
Nga dje, me “simiten” që i dha Xhaferrit, Lulzim Basha tregoi se PD është nën thundrën e Genc Pollos dhe ai është njeriu që ka kapur degët, sekretariatet, por dhe vetë Lulzim Bashën. Të gjitha veprimet dhe hakmarrjet politike apo aksionet e Lulit kanë nga pas hijen e hidhur dhe të pështirë të Pollos që përdor buzëqeshjen dhe maskën e Lulzim Bashës dhe së bashku po e kthejnë PD-në në PDR thjeshtë dhe vetëm që Luli të mbajë karrigen e kryetarit dhe të rrethohet nga zagarët e Genc Pollos. Kështu i quante dje mbështetësit e PDR-së Sali Berisha.
Ka edhe shumë të tjerë, por sollëm shembujt kryesorë.
PD-ja prandaj është në këtë situatë dhe doli nga zgjedhjet më e vogël se kurrë, sepse PD-ja fatkeqësisht po kthehet në një PDR. Do të jetë gjithmonë e më e vogel me Lulin dhe intrigat e Pollos. Tani i ka ngelur vetëm ti ndrrojnë emrin sepse misionin e kanë kryer. Partinë e kanë kapur dhe po e bëjnë të vogel si PDR-ja dikur, që ta përdorin për interesat dhe pazaret e tyre, atyre nuk ju dhemb PD-ja, ata tani kanë PDR-në e tyre./CNA.al/j.