Prej disa muajsh, çfarë nuk kemi dëgjuar e parë, nga të gjitha kronikat e lajmeve rreth Covid-it, i cili fillimisht nisi me disa pamje “made in china”, ku shfaqeshin njerëz të prekur nga sëmundja, që përplaseshin përdhe si pasojë e fuqisë shkatërruese që shkaktonte virusi në trupin e tyre.
Derisa virusi erdhi si turist i paftuar në Evropë! Prej asaj dite çfarë nuk pamë e dëgjuam, histori nga më të trishta u transmetuan në ekran, duke nisur nga qindra e mijëra njerëz të infektuar, të vetëm në spitale, që humbnin betejën me virusin çdo ditë, tek kamionët që ishin mjetet e vetme të një kortezhi, që transportonin dhjetra e qindra trupa të pajetë.
Por kishte dhe pamje prekëse, si rasti i djalit i cili ngjiti disa kate të spitalit për t’i dhënë lamtumirën përtej dritares nënës së tij. Po në asnjë vend të botës nuk kemi dëgjuar, se janë hedhur pacientë nga dritaret e këtyre spitaleve. Askund, përveçse në Shqipëri.
Në një kohë fare të shkurtër, një djalë 29 vjeçar dhe një 65 vjeçar, kanë humbur jetën duke u hedhur nga ambjentet e spitalit Shefqet Ndroqi, në Tiranë, ndërsa një person i tretë është ndaluar në kohë që të mos kryej aktin ekstrem.
Ky akt ekstrem i këtyre pacientëve, është ndërmarrë ndoshta në kushte të rënda psikologjike, por se asgjë nuk e justifikon neglizhencën e shërbimit spitalor për pajisjen e këtyre spitaleve dhe me psikolog.
Qëllimi nuk është të zbehim punën e mirë të bër nga mjekët përgjatë gjithë periudhës së pandemisë, por ama po kthehemi në një fenomen botëror për shkak se persona të infektuar me Covid, si rasti i 29 vjeçarit për të cilin nuk u raportua se vuante nga depresioni, kanë marrë akte ekstreme për shkaqe ende të panjohura.
Përgjatë gjithë pandemisë, mediat, politikanë, ekspertë dhe jo ekspertë, institucionet përgjegjëse shtetërore, kanë “bombarduar” opinionin publik me informacione për të cilat edhe sot nuk i vërtetojnë dot si të vërteta, duke tmerruar e frikësuar gjithëkënd, të madh e të vogël, duke i ngulitur në tru, se në prekesh nga Covid nuk ke shpëtim.
Edhe pas 6 muajsh nga evidentimi i rastit të parë në Shqipëri, pra prej datës 8 mars, vazhdon ende maratona televizive e ISHP me të infektuar, testuar, të pa shëruar të pacientëve të prekur nga Covid-19. Gjëkundi nuk përmendet nga këto instutcione, se me Covid 19 ka më shumë të shëruar se sa raste njeh ISHP.
Është i turpshëm terrori psikologjik, që i bëhet çdo ditë qytetarëve shqiptar me Covid-19, a thua se është fundi i botës, e nëse prekesh nga ky virus, vdekja është e sigurtë. Ndërkohë të gjitha shifrat dëshmojnë krejtësisht të kundërtën.
Zyrtarisht, jo sipas ISHP-së, të cilës rezultatet e testimeve në faqen e saj zyrtare për Covid-19 i ka “ngel sahati” më datë 22 Maj, deri më tani rezulton se janë 10406 raste të konfirmuara, nga këto 6186 është numri i të shëruarve, ndërsa numri i atyre që kanë humbur betejën me virusin është 319. Pra vetëm 3.07% e personave të prekur nga Covid humbin jetën.
Mos harroni se 3.07%, bëhet fjalë për personat që ka konfirmuar ISHP si të prekur nga koronavirusi, pa përmendur fare asiptomatikët, ose ata të cilët e kanë kaluar si një grip të zakonshëm dhe as që e kanë parë të arsyeshme të kërkojnë testim apo të hospitalizohen. Nëse do të bëhet ose do ishte bërë testimi i gjithë popullatës me metodën serologjike, të jeni të bindur se ku numër nuk do e kalonte shifrën 0.5%.
E të jeni sërish të bindur, se numri i personave që kanë humbur jetën me sëmundjen, 90% e tyre sipas deklaratave kanë qenë me sëmundje bashkëshoqëruese, ndërsa pjesa tjetër nuk konfirmohet si e tillë, pasi nuk janë diagnostifikuar më përpara. Kjo kategori njerëzish, nuk ruhet vetëm nga Covidi por dhe nga sëmundje të tjera më të zakonshme, pasi e ka gjithmonë më të vështirë rekuperimin dhe e kalon më rëndë se të tjerët.
Por loja për të tmerruar e frikësuar qytetarët, se po ndodh hataja, me sa duket i korri efektet e veta, duke shkaktuar një stres psikologjik jo vetëm tek pacientët që vuajnë, por edhe tek ata më të shëndetshëm, të cilët e kanë konsideruar sëmundjen si fundin e tyre, edhe pse nuk ka qenë në asnjë moment një realitet i tillë.
ISHP, politika, media, ekspertët, duhet t’i japin fund kësaj shfaqje të turpshme, e cila nuk sjell asnjë dobi tek qytetarët por sigurisht shkakton viktima. Por sigurisht nuk bëhet fjalë që të shfaq doza optimizmi se ky virus nuk ekziston apo se është i padëmshëm, të gjithë duhet të tregojnë kujdes që nëse mund të mos dëmtojnë veten, të paktën mos të bëhen shkak për të dëmtuar të tjerë përreth, sepse edhe një jetë e vetme ka rëndësi.
Por ama, nuk mund të lejojmë as nga pakujdesia ose as nga dashakeqësia, të themi atë që nuk ekziston dhe gënjeshtra të vras më shumë se sa vetë virusi./Ekskluzive.al