Krijimi i partive të reja për zgjedhjet e ardhshme parlamentare të 2021 ka sjellë përplasje mes opozitës parlamentare. Deklarata e Rudina Hajdarit se do jetë pjesë e partisë ‘Nisma Thurrje’ dhe jo të Lidhjes Demokratike Shqiptare me Mulsim Murrizin, duket se ka acaruar deputetin Halit Valteri.
Ai nuk ka nguruar të sulmojë deputeten e opozitës së re, duke thënë se ka zgjedhur që të jetë pjesë e një partie me interesa të fshehta përpara dinjitetit të saj. Teksa në fillim të shkrimit të tij e quan “mike”, në fund, Valteri thotë se e “tregoi fytyrën e saj të vërtetë”.
Vendimi i Hajdarit, dukej se nuk pritej nga Valteri, nisur edhe nga fakti që në një intervistë për Report Tv një ditë më pari, ai la të nënkuptohej se ajo do të ishte pjesë e partisë së tij, por nuk rezultoi kështu.
Deklarata e plotë
Dy fjalë për miken time Rudina !
Rudina Hajdari u mundua për muaj të tërë që të bindtte elektoratin e djathtë se ishte përfaqësuese e tyre.
Ndonëse kanë qenë jo të paktë ata që kanë dyshuar në sinqeritetin e çdo gërme që shqiptonte deputetja lart e poshtë. Por sot Rudina nuk ka treguar asgjë më shumë se ajo që pritej, përfundoi në xhepin e një lëvizje në përpjekje për t’u kthyer në parti. Nisma “Thurje” që përqafoi sot Rudina Hajdari është një lëvizje e financuar kryekëput nga interesa okulte.
Një lëvizje që nuk ka bërë transparente as qëllimin për çfarë është krijuar dhe as si financohet apo se kush janë këta dorëlëshuar që nuk kursehen të hedhin paranë kaq lehtë pa përfituar diçka në këmbim.
Megjithatë është e drejtë e secilit që të zgjedhë interesat okulte dhe financimet e dyshimta, përpara dinjitetit. Sot shqiptarët e kanë më se të qartë se kush është dhe çfarë përfaqëson Rudina në të vërtetë.
Me sa duket znj.Hajdari s’e gjen veten në kushtet e vendosura te partia e deputetit Myslim Murrizi, ku nuk pranohen figura të kompromentuara, bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit, as hajdutët e tenderave dhe kushdo që ka përfituar nga pushteti…
Znj.Hajdari e ka zgjedhur rrugën e saj tashmë dhe nderi më i madh që na bëri është se na tregoi se kush është në të vërtetë…
Rrugë të mbarë dhe zoti ta priftë mbarë !