Byroja e Kuvendit ka përjashtuar dje me 10 ditë nga punimet parlamentare 6 deputetë të opozitës dhe ministrin e Jashtëm, Ditmir Bushati. Pas kaosit që u krijua në sallën e Parlamentit, ku deputetë të PD dhe LSI sulmuan me vezë dhe miell kryeministri, PS kërkoi të mblidhej Byroja dhe propozoi përjashtimin e 6 deputetëve të opozitës, ndërsa vetë kreu i Parlamenti, Gramoz Ruçi kërkoi përjashtimin e ministrit Bushati. Ky i fundit qëlloi me ujë ndaj deputetëve të PD-LSI, pasi ata hodhën miell. Mbledhja mësohet se është shoqëruar me debate dhe akuza mes palëve.
Deputeti Flamur Noka deklaroi në sallë se mielli ishte simbol për banorët e Kukësit që janë në varfëri, ndërsa po ashtu pati akuza nga deputetët Edi Paloka dhe Endrit Braimllari. Në fund pas votimit u vendos përjashtimi me 10 ditë për deputetët: Klevis Balliu (PD); Ervin Salianji (PD); Flamur Noka (PD); Edi Paloka (PD); Endrit Braimllari (LSI); Kejdi Mehmetaj (LSI); Ditmir Bushati (PS). Pas mbledhjes pati dhe reagime nga deputetët e të gjitha partive.
Deputeti socialist Ervin Bushati dënoi dhunën e djeshme. “Deputetët kanë kryer veprime të padenja, të përsëritura. Në rastin e Nokës, janë përdorur edhe mjete të forta, përmes teknikës që mundëson seancën, është goditur me mikrofon në drejtim të qeverisë dhe kjo përbën elementë të veprës penale. Procedim për Nokën? Me atë merret prokuroria. Bodigardi i Ramës në seancë i armatosur? Kjo është hera e parë që e dëgjoj.
Është rasti i parë që Byroja merr një vendim për një ministër, Bushati u provokua, është njerëzore dhe ai ka kërkuar ndjesë dhe ka një ndryshim total me deputetët e opozitës që mbrojnë një veprim absurd. Protestat e opozitës? Zgjedhjet janë pas katër viteve. Opozita edhe në ëndrrat e saj mund të dojë që të ndërrojë qeverinë, por e vendos populli”, tha ai.
Reagon opozita
Opozita e kundërshtoi vendimin e djeshëm të Byrosë së Kuvendit. Deputeti Endrit Braimllari tha se tregimet e opozitës ishin legjitime për shkak të sjelljes së kryeministrit. “Para një jave nuk përjashtoi Ramën nga parlamenti edhe pse i trajtoi shqiptarët si organ gjenital, ne që jemi aty për t’i thënë që bërë gabim, përjashtohemi, ajo ç’ka është e rëndësishme është hera e dytë që ministri i Jashtëm sillet si një rrugaç, hedh shishen e ujit. Opozita është në të drejtën e saj që të bëjë ç’të dojë, pasi Rama provokoi. Populli nuk ndalet më në çdo cep të Tiranës dhe Shqipërisë. Parullat fyese në Kuvend? Ajo parullë nuk është asgjë para asaj që bëri Rama. Ndjesa e Bushatit? Është bërë e qartë për këtë qeveri, Rama provokon, del e kërkon falje, Bushati provokon dhe kërkon më pas falje”, tha ai.
Dhuna, skenar Kryemadhi-Berisha
Dhuna e djeshme në sallën e Parlamentit, duket se ishte e iniciuar nga Sali Berisha dhe më pas nga Monika Kryemadhi. Në sallën e Parlamentit gjatë gjithë kohës Kryemadhi konsultohej me Sali Berishën. Po ashtu ishte ky i fundit që bënte thirrje për sulme ndaj Ramës. Mirëpo gazeta ka mësuar se plani ishte detajuar që në mbledhje e grupit që u bë të mërkurën. Mësohet se aty ka qenë po Berisha, ai që ka kërkuar që të bllokohet foltorja e Parlamenti, gjë që është mbështetur nga Kryemadhi dhe deputetët e LSI. Madje dje në media ka pasur dhe akuza ndaj deputeteve të LSI se ishin ato që futën miellin. Teksa Shqipëria pret hapje negociatash me BE, opozita ka paralajmëruar se edhe të enjten që vjen do të jetë e njëjta situatë./SOT