Në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u zhvillua ditën e djeshme seanca publike për ish-kryeprokuroren e Krimeve të Rënda, Donika Prela. Kjo e fundit ndodhet në KPA pas ankimimit që Komisioneri Publik, Florian Ballhysa i bëri vendimit të KPK për konfirmimin në detyrë.
Në fillim të seancës, u vendos që KPA të rrëzojë kërkesën e Donika Prelës për përjashtimin e dy gjyqtareve të trupës, Ina Ramës dhe Natasha Mulajt. Për Komisionerin Publik, kjo kërkesë kishte për qëllim zvarritjen e mëtejshëm të procesit të vetingut.
Ballhysa sqaroi se përbërja e trupit gjykues ka qenë publike në faqen e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që në vitin 2019 dhe sipas legjislacionit përkatës, konflikti i interesit i pretenduar duhet njoftuar menjëherë pas marrjes dijeni. “Për shkak se ajo ka qenë në dijeni, kërkesa për përjashtimin e anëtares Ina Rama në seancën e parë është kryer me qëllim shtyrjen e seancës dhe vonesën e procesit.
Duke qenë se në frymën e ligjit, parashikohet që subjekti të jetë bashkëpunues, kjo sjellje duhet të merret parasysh nga ana e Kolegjit”, tha Ballhysa. Ballhysa vijoi se Prela ka qenë në dijeni të trupit gjykues të Kolegjit dhe se duhej të kishte dhënë ajo vetë dorëheqjen nga çështja hetimore ndaj vëllezërve të gjyqtares Natasha Mulaj. “Duhej të kishte konsideruar se ajo vetë ishte në konflikt interesi dhe të kishte treguar integritet, duke u dorëhequr nga hetimi i çështjes”, pohoi Ballhysa.
Edhe kërkesën për dorëheqjen e Mulajt, Ballhysa e konsideroi përpjekje për të shtyrë seancën dhe për të vonuar procesin. Kryesuesja e trupit gjykues, Natasha Mulaj deklaroi në fillim të seancës se dy kërkesat e prokurores Donika Prela për përjashtimin e dy anëtareve të trupit gjykues janë rrëzuar si të pabazuara nga dy trupa gjykuese të Kolegjit.
Ja arsyet që dha Komisioneri Publik
Më tej Komisioneri Florian Ballhysa kërkoi shkarkimin e Prelës me argumentin se nuk provon burimin e ligjshëm për një kërkesë të pasurisë së Prelës dhe bashkëshortin e saj. Bëhet fjalë për një apartament banimi në Durrës. Sipas Ballhysës subjekti nuk provon burim të ligjshëm edhe të një llogarie bankare. Kështu, Prela nuk justifikon dy pasuri, për një shtëpi në Tiranë dhe një tjetër në Durrës.
Një pjesë të kursimeve, një hua të marrë tek djali i xhaxhait të bashkëshortit si dhe sigurimet shoqërore të mospaguara për disa muaj edhe pse punonte në një kompani ndërtimi. Komisioneri Publik ngre si problem edhe standardet e ndryshme të hetimit të kryer nga Donika Prela për dy çështje që kanë të bëjnë me veprën penale të “drejtimit të automjetit në mënyrë të parregullt”.
Njëri prej të akuzuarve është proceduar në arrest me burg dhe tjetri në gjendje të lirë, duke kërkuar një rivlerësim tërësor të saj në KPA. Ndërkohë që seanca e radhës për Donika Prelën u caktua në datën 11 shtator. “Me vendim të ndërmjetëm, trupi gjykues vendosi të çelë hetimin gjyqësor dhe të administrojë në cilësinë e provës aktet e paraqitura nga subjekti i rivlerësimit gjatë parashtrimit të prapësimeve të saj ndaj ankimit të Komisionerit Publik.
Bazuar në kërkesën e avokates së subjektit të rivlerësimit, e cila kërkoi kohë për t’u njohur me provat e administruara, të paraqitura nga subjekti i rivlerësimit, si dhe parashtrimet e Komisionerit Publik mbi fuqinë provuese të tyre, trupi gjykues vendosi ta shtyjë seancën gjyqësore për në datën 11.9.2020, ora 10:00, duke i ftuar njëkohësisht palët që të përgatiten për depozitimin e bisedimeve përfundimtare”, thuhet në njoftimin e Komisionerit Publik.