Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste është shtyrë sërish. Fillimisht u përfol që mbledhja e Asamblesë do të thirrej në fund të korrikut, më pas zërat thanë se ajo do të mblidhej në fund të gushtit, ndërsa në mbledhjen e grupit të parlamentar të PS u tha se kjo mbledhje do të zhvillohej sot.
Por diçka e tillë pritet të ndodhë javës tjetër. Gazeta ka mësuar se për shkak se kryeministri Rama ka këmbëngulur që Asambleja të mblidhet fizikisht dhe jo online, sikundër është një variant që është në diskutim për shkak të pandemisë së Covid-19.
Mësohet se si datë paraprake është caktuar 11 shtatori për të thirrur Asamblenë. Megjithatë, referuar të njëjtave burimeve, nuk përjashtohet mundësia që të ndryshohet sërish data, për shkak se ka ngecur puna se nuk është gjetur një zgjidhje për të bërë organizimin nga frika e pandemisë së Covid-19.
Deputetët lajmërohen për ndryshime në qeveri
Por shtyrja e mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste nuk është i vetmi njoftim që ka shkuar tek deputetët e PS, pasi këta të fundit janë lajmëruar se kjo mbledhje do të jetë e mbushur me surpriza. Kështu, përveç ndryshimeve në kupolën e Partisë Socialiste për shkak se në këtë mbledhje socialistët do të zgjedhin kryesinë e re, sekretariatin dhe Sekretarin e Përgjithshëm të PS, në këtë mbledhje pritet që t’i hapet rruga ndryshimeve në qeveri.
Burime nga selia rozë i pohuan gazetës së kryeministri Edi Rama mund të bëjë ndryshime në kabinetin qeveritar. Mësohet se janë tre arsyet se përse pritet të ketë largime ministrash, sikundër është shtyrja përpara e procesit të integrimit europian, nxitja e reforma në vend dhe organizimi për zgjedhjet parlamentare të vitit 2021. Mirëpo një sinjal i kësaj natyre mësohet se ka tërbuar ministrat, sidomos ata që e ndiejnë veten të rrezikuar, për shkak se nuk kanë dhënë aq sa duhet në institucionin që shefi i qeverisë iu ka besuar si portofol.
Madje, fakti që në media nuk është përfolur apo lakuar me emra se kush ministër mund të largohet dhe shtyrja e mbledhjes së Asamblesë, tregon qartë se zoti Rama po i jep kohë vetes të mendojë për lëvizjet e radhës. Mos harrojmë që kryeministri Rama njihet si njeri i surprizave, pasi gjithmonë e ka përgënjeshtruar se mund të ketë ndryshime në qeveri, por kur ka ardhur koha ai ka shkaktuar tërmet. Kështu që edhe ministrat mësohet se janë tërbuar nga këto lëvizje, në një kohë që në mbledhjen e grupit të së martës Rama paralajmëroi deputetët se askush nuk e ka të sigurtë rikandidimin në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2021.
Rama jep sinjale
Por sinjale për ndryshime në qeveri kryeministri Edi Rama ka dhënë edhe dje nga qyteti i Vlorës. Gjatë një prononcimi për mediat, teksa u pyet për çështje që lidhen me ndryshimet e mundshme në qeveri, apo arsyen se përse një pjesë e ministrave nuk do jenë në drejtimin e fushatës në qarqe, shefi i qeverisë theksoi koordinatorët apo anëtarët e kabinetit qeveritar që lodhen e kanë vendin në stol, duke lënë të nënkuptohet se mund të ketë lëvizje. “Edhe kjo nuk ka lidhje, nuk e kuptoj se ku qëndron lidhja.
S’la lidhje fare. Kur vjen puna tek drejtimi qarqeve dhe këtu nuk flasim njëherë për udhëheqjen e fushatës, fushata është akoma larg. Këtu flasim për ata që janë kujdestarë në këtë fazë, por kjo është për t’u parë në proces dhe kush do të lodhet do të kalojë në vijën e dytë dhe mund të shkojë në stolin e rezervave. Kush do të ketë energji do të shkojë në sulm deri në fund. Kështu që nuk është përfundimtare as nuk ka lidhje je ministër apo s’je ministër. Të qenit ministër ose jo ministër nuk lidhet me këtë sepse varet se ku të kërkon partia siç i thonë”, deklaroi kryeministri Edi Rama./Rigels Seliman