Pushtetarët çdo ditë flasin në media për arsim e shëndetësi më të mirë, por kur vjen puna për ta të gjithë ikin jashtë vendit. Çuditërisht, ashtu si në politikë edhe në sistemin e drejtësisë shumica e gjyqtarëve dhe prokurorëve i kanë dërguar fëmijët e tyre jashtë vendit, duke shpenzuar qindra mijëra euro.
Gazeta “SOT” ka bërë një analizë të vendimeve që ka dhënë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit pas procesit të vetingut. Ajo që bie në sy është se shumica prej gjyqtarëve dhe prokurorëve janë djegur pas shpenzimeve marramendëse që kanë shpenzuar për studimet e fëmijëve jashtë vendit. Vendet më të spikatura ku njerëzit e drejtësisë kanë vendosur të arsimojnë fëmijët e tyre janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Angli, Holandë, Turqi apo edhe në Kosta Rika.
Ndonëse në formularin e deklarimit, një pjesë e tyre kanë deklaruar se fëmijët kanë përfituar gjysmë burse dhe pjesën tjetër të shpenzimeve e kanë mbuluar ata, sërish paga mujore që ata merrnin nuk arrinte të justifikonte ndjekjen e tyre me studime jashtë territorit të Shqipërisë. Pra, mund të themi se ka qenë vetingu, ai i cili i ka nxjerrë zbuluar skandalet në sistemin e drejtësisë.
Qëllimi i organeve të vetingut, KPK dhe KPA ishte pastrimi i sistemit gjyqësor dhe duket se deri tani këtë qëllim e ka përmbushur më së miri, pasi shumë gjyqtarë dhe prokurorë të korruptuar janë lënë jashtë sistemit për plot 15 vjet.
Ja disa prej emrave
Gazeta ka përgatitur një listë me disa prej emrave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët kanë dalë zbuluar nga vetingu për shpenzimet marramendëse për studimin e fëmijëve jashtë vendit. Kështu, ish-kreu i Gjykatës së Vlorës, Skënder Haluci u shkarkua nga shkalla e parë e vetingut, pas problemeve të hasura me pasurinë, mes tyre edhe shpenzimet për ndjekjen e vajzës me studime në SHBA.
Në raportin e ILDKPI, bëhet me dije se nuk ka asnjë dokument që të vërtetojë që ajo ka ndjekur studimet pas fitimit të bursës. “Në analizën financiare është zbritur vlera e shpenzimit prej 181,478 USD, pasi subjekti paraqiti dokumentacion provues se kjo shumë është përfituar si bursë nga shkolla. Subjekti nuk ka dhënë shpjegime të plota lidhur me shpenzimet e tjera të vajzës gjatë periudhës së studimeve në SHBA.
Nga përmbajtja e dokumentit që vërteton bursën e përfituar nga universiteti në SHBA, nuk është e qartë se çfarë mbulon bursa dhe se sa kanë qenë të gjitha shpenzimet e jetesës. Konstatimi i ILDKPKI-së: Ka mungesë dokumentacioni justifikues ligjor, në lidhje me bursën e përfituar nga znj. A. H., në *** COLLEGE *** 2012 − 2014, *** IN ***”, thuhet në raportin e ILDKPI. Po ashtu, vetingu ka nxjerrë zbuluar edhe gjyqtaren e Apelit Valdete Hoxha, e cila ka ndjekur të 2 fëmijët e saj, vajzën dhe djalin me studime në Kanada.
Edhe gjyqtarja e Apelit Gjirokastër, Miranda Andoni ka kryer shpenzime të larta për studimin e fëmijëve në Gjermani. Ndërsa vajza e prokurorit të Prokurorisë së Përgjithshme, Thoma Janos ka kryer fillimisht studimet e larta në Turqi në degën e “Farmacisë”, studime të cilat zgjatën deri në vitin 2003. Më pas, vajza e prokurorit u zhvendos në Houston të SHBA-së për të ndjekur studimet master.
Ndërsa Andi Civici, gjyqtar i Apelit Tiranë, ka shpenzuar qindra euro për studimet e djalit në Costa Rica. Ai ka deklaruar se djali i tij ka përfituar bursë në masën 50 për qind, ndërsa pjesën tjetër ia ka mbuluar familja. Emra të tjerë që kanë ndjekur fëmijët me studime jashtë vendit janë gjyqtari i Apelit të Krimeve të Rënda Tiranë, Gjovalin Përnoca, i cili ka ndjekur djalin me studime në Londër; Prokurori i Gjirokastrës Arben Pasho ka ndjekur djalin me studime në master në Holandë; Gjyqtarja e Apelit Korçë Brunilda Malo ka ndjekur vajzat me studime në Londër. Ndërsa gjyqtari i Apelit Tiranë, Asim Vokshi ka dalë se ka ndjekur vetë studimet në SHBA.