Deklarata e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis se Greqia do të zgjerohet me 6-12 milje në Jon, ka shkaktuar trazira në Shqipëri, duke u bërë shkak për “përplasje” në distancë me kryeministrit Edi Rama dhe kryedemokratit Lulzim Basha.
Ishte Rama i cili “hapi i pari lojën e reagimeve”, të cilat u pasuan më pas me përgjigje dhe kundërpërgjigje nga të dyja kampet politike, ku nuk munguan ironitë.
Rama: “Hapu det se vajmedet ka dalë të të mbrojë Lulzimi me PD! Të qash për ata që vazhdojnë e hanë për djathë sapunin e PD apo të qeshësh me këtë Artist që s’e ka shokun për të bërë sikur?Je i madh Lul, sinqerisht, shyqyr s’u more me shitje djathi se do kishim mbetur pa copën e sapunit”, shkruan Rama, si një reagim për deklaratën e PD.
Basha nuk i ka kursyer një përgjigje Ramës: “Leri dërdëllitjet prej rrugaçi Edi Rama. Bëj transparencë çfarë po ndodh me negociatat për detin. Historitë me sapun ruaji se do të duhen më vonë…”
Rama: “Për çfarë transparence e ke fjalën Lulëzim, kur s’ka as marrëveshje, as negociata qysh se ka ndryshuar qeveria në Greqi, ndërkohë që as me qeverinë e mëparshme marrëveshja s’është arritur?!Ti do teatër vëlla që të zbavisësh ata që të vijnë në shfaqje, të kuptoj, lum ti medet ata” Kurse sapuni ka kohë që të pret ta hash… për djathë
Basha: “Po ta përsëris Edi Rama, bëj transparencë e mos u fshih pas gërrvërreve bajate. As servilët e fundit që të kanë mbetur nuk qeshin me to. Nuk je thjesht i lagur, je i mbytur në detin e marrëveshjeve të fshehta në kurriz të shqiptarëve”
Rama: Marrëveshja me Greqinë për detin është ndalur me kohë! Mos bëj sikur nxehesh se s’ta kam unë fajin! “Negociatat Lulëzim janë ndalur prej kohësh,që pas ndryshimit të qeverive në Greqi! S’ka asnjë të re nga ai front, përveç dallgëve të ligësisë e padijes! Po ti mos bëj sikur nxehesh,se s’ta kam unë fajin kur bën sikur s’je ti që e firmose atë marrëveshjen e famshme që rrëzoi GJK! Çfarë kanë qenë për të thënë janë thënë me kohë e me vakt, marrëveshje akoma s’ka, po ti dëgjo mua, gjej ndonjë temë tjetër për teatrin tënd, se me ata që i besojnë kësaj marrëzisë së detit do dalësh edhe më i lagur se në 2017! Ta kam thënë, këtë popull për budalla s’e bëni dot”, shkruan Rama.