Pavarësisht sulmeve, anatemimeve dhe presioneve, Struktura e Posaçme Antikorrupsion ka filluar të hapë dosjet abuzive. Gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste janë dhënë me dhjetëra koncesione abuzive, por që nuk u hetuan asnjëherë gjatë drejtimit të prokurorisë nga Adriatik Llalla.
Ditën e djeshme është bërë me dije se SPAK ka nisur hetimet për koncesionet e inceneratorëve. Hetimet që po i zhvillon prokurori Dritan Prenci mësohet se po zhvillohen për shkelje të barazisë në tendera. Mësohet se janë çuar shkresa në disa institucione, si QKB dhe do merret edhe një raport i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Pasi të mblidhet gjithë dokumentacioni, pritet që të nisë hetimi nga SPAK.
Burime nga SPAK thonë që në fillim të shtatorit pritet të merren në pyetje personat e përfshirë. Kujtojmë që më herët ka pasur një kallëzim nga Nisma Thurje për inceneratorin e Fierit, por mësohet se hetimi i SPAK do të shtrihet kryesisht për të tre tenderat e inceneratorëve, pasi ngrihen dyshime se janë dhënë pa garë. Kujtojmë që tre inceneratorët në Tiranë, Elbasan dhe Fier kanë një vlerë 170 milionë euro dhe kjo pritet të jetë një nga çështjet e nxehta që mund të përfshijë persona të njohur edhe nga politika.
Ja padia e Nismës “Thurja”
Nisma “Thurja” në padinë e saj depozituar në SPAK pak kohë më parë akuzon qeverinë se është kompromentuar në falsifikimin e dokumenteve të pronësisë ku do ndërtohet inceneratori i Fierit. “Kallëzim penal për zyrtarët publik dhe personave të tjerë të përfshirë në koncesionet e inceneratorëve, të cilët mund të kenë konsumuar disa vepra penale të parashikuara në Kodin Penal të RSH.
Baza ligjore: Neni 280 dhe 283 i K. Penal, neni 186,248, 258 dhe 287 te K. Penal, Ligji nr. 9754, date 14.06.2007, “Për përgjegjësinë penale te personave juridike”, thuhej në padi. Nisma “Thurje” pretendon se gjithë grupi i inceneratorëve në Shqipëri, nga i Tiranës, tek i Elbasanit dhe i Fierit ka lidhje me K.Z dhe M. M, të cilët lidhen me kompani të regjistruar jashtë vendit.
Ata akuzojnë zyrtarët e dyshuar si të përfshirë në këtë aferë për katër vepra penale: Për prishje të garës dhe barazisë në tendera, keqadministrim të pasurisë publike; Për falsifikim të objektit të truallit të ndërtimit, shpërdorim të buxhetit të shtetit; Për evazion fiskal dhe pastrim të produkteve të veprës penale; Për përfshirje të krimit të organizuar ndërkombëtar.
Por hetimet janë thelluar edhe për koncensionet në shëndetësi. Burime bëjnë me dije se për këto hetime janë sekuestruar shumë dokumente, por edhe janë marrë në pyetje shumë njerëz. Thellimi i këtyre hetimeve ka treguar qartë se SPAK po ecën me ritmet e duhur, por gjithashtu iu ka dhënë edhe një mesazh të qartë të gjithë skeptikëve se përballja me të nuk do të jetë aspak e lehtë.
Por koncesionet në shëndetësi kanë qenë në vëmendje të të gjithëve për një kohë të gjatë. Në SPAK janë tre padi për koncesionet në shëndetësi dhe më konkretisht për koncesionin e sterilizimit, dializës dhe Check- Up. Për të treja këto padi, hetimet janë thelluar shumë, për të nxjerrë në pah shkeljen që është bërë me to. Ndërsa gjatë kësaj kohe, është bërë llogaria e fitimeve për secilin koncesion. Përfitimet e PPP-së për koncesionet në fjalë janë mbi 4 miliardë lekë. Për koncesionin e sterilizimit janë fituar 2.7 miliardë dhe 500 milionë lekë për koncesionin e Dializës. Një tjetër problem që është konstatuar në këto koncesione është dhe mungesa e transparenca.