Sot në Kuvendin e Shqipërisë u ekzekutua një shfaqje e shëmtuar dhune fizike e verbale. Deputetë burra e deputete gra, gjuanin me miell, vezë, ujë, mikrofona e ç’ju vinte për mbarë. Ishte nga ato skena që dukshëm gjithçka ishte orkestruar më parë.
Deputetët merrnin urdhra nga kryetarët e partive dhe si ushtarë, vepronin pa ngurrim.
Në fytyrat e tyre nuk kishte asnjë fije pendese apo dyzimi për atë që po bënin, ndërsa kabineti qeveritar priste heshtur rrebeshin e sulmit.
Por, në një moment kur s’mbante më ujë pilafi, instiktivisht ministri për europën dhe punët e jashtme Ditmir Bushati tentoi të lagte me ujë “flakën” që opozita kishte ndezur nga poshtë. Në këtë moment shihej kryeministri Rama që kritikonte ministrin e tij, ndërkohë që opozita nga kryetarët e saj nxitej për intensifikim sulmi.
Në skenë dukeshin dy palë, diametralisht të kumdërta. Njëra që nxitej për dhunë dhe tjetra që e dënonte atë.
Pas mbylljes së seancës, Bushati i kërkoi ndjesë shqiptarëve për gjestin e tij instiktiv. Por nga ana opozitës nuk pati asnjë fije pendese. Fytyra shuall siç thotë populli. Pa i bërë përshtypje ajo që kishin bërë, shfaqeshin krenarë dhe trima pasi u mbyll seanca. Edhe njëherë, diferenca mes palëve ishte me pash.
Në fund, pas mbledhjes së Byrosë së Kuvendit, bashkë me 6 deputetët e opozitës, u përjashtua për 10 ditë nga punimet e Kuvendit edhe ministri Bushati, duke treguar edhe njëherë, për të 3-tën herë brenda pak orëve, diferencën mes mazhorancës dhe opozitës./ Lexo.al