Shoqata “Bashkimi Tregtar i Shqipërisë”, përfaqësuese e segmentit tregtar, distributorëve dhe shitësve me pakicë në Shqipëri, si përfaqësuese e biznesit të madh, pohon në një deklaratë për shtyp se ka ndjekur me vëmendje zhvillimet dhe debatin e fundit për implementimin e TVSH tashmë edhe në nivel të biznesit të vogël.
Në njoftim thuhet: “Shoqata jonë sot, nëpërmjet kompanive anëtare, si taksapagues të rregullt të detyrimeve ligjore të tatimeve dhe taksave, përfaqëson rreth 112 mijë individë të punësuar në rrjetet e distribucionit dhe rreth 110 mijë të punësuar në shërbime.
Në kuadër të funksionimit të një eknomie të tregut të lirë me rregulla të barabarta për të gjithë dhe në luftë kundër informalitetit, si sipërmarrës të të njëjtës natyrë, të cilët hasim përditë të njëjtat pengesa nga komnkurrenca e pandershme, dëshirojmë të shprehim jo-politikisht mbështetjen tonë për ligjin e ri për TVSH.
Duke marrë shkas nga nxitja rrethanore e armiqësisë ndërmjet biznesit të vogël dhe atij të madh, gjejmë rastin gjithashtu të sqarojmë pozicionin tonë se nuk jemi kundër partnerëve tanë të biznesit të vogël, të cilët janë dhe klientët tanë kryesorë në tregun e distribucionit, por e mbështesim këtë nismë e cila në thelb ka zbatimin e rregullave të barabarta për të gjithë në të gjitha nivelet, për një ekonomi sa të qëndrueshme aq edhe të drejtë për operatorët në treg.
Mendojmë se efektet pozitive të këtij ligji do të jenë:
- Evidentim i të gjitha bizneseve të mëdha, cilat nën petkun e biznesit të vogël, në mënyrë të pandershme fshehin të ardhurat e tyre duke bërë evazion, si:
o Bizenese të mëdha të cilët kanë shitur deri më sot pa faturë te biznesi i vogël
o Shumica të cilat kanë shitur deri më sot pa faturë te biznesi i vogël
o Biznese të mëdha të cilat për të shmangur detyrimet ndahen në disa NIPT-e
- Luftohet konkurenca e pandershme
- Luftohet korrupsioni në rradhët e nënpunësve të administratës
- Bizneset e vogal do të rrisin kapacitet e brendshme menaxhuese nëpërmjet mbajteve të llogarive
- Vendos pozita të barabarta për tregtinë e qarkullimin e mallrave brenda vendit;
- Drejtësi tatimore për konsumatorët që paguajnë tatimet dhe TVSH në çmim;
- Shmangen efekteve deformuese në treg;
- Rritjen e punësimit dhe të ardhurat familjare; dhe të ardhura më të larta në buxhetin e shtetit
- Modernizimi i standardeve të biznesit në tërësi në vend.
Për të gjitha arsyet e mësipërme, thirrja jonë i drejtohet parlamentit dhe organeve të ekzekutivit për përpilimin e akteve të duhura e të drejta dhe ndërmarrjen e fushatave të nevojshme edukuese me biznesin për një zbatim sa më të shpejtë dhe funksional, me rregulla të qarta dhe të thjeshta pa rritjen e ngarkesave financiare dhe administrative, të skemës së TVSH-së në të gjitha hallkat e shkëmbimit tregtar, pa dallim të madhësisë.
Krahas kësaj, vazhdojmë të kërkojmë një implementim edhe më rigoroz të lëshimit të kuponit fiskal, me qëllimin e vetëm formalizimin e tregtisë dhe aktivitetit ekonomik.
Politikat e çdo Qeverie mund të mbështesin dhe të lehtësojnë barrën fiskale të bizneseve të vogla nëpërmjet skemave të tatim-fitimit të thjeshtuar, e skema të tjera, por vetëm me një kusht të padiskutueshëm, që është formalizimi i tregut.
Lufta kundër informalitetit është një detyrim sa ligjor aq edhe ekonomik për të ndërtuar një ekonomi të tregut të lirë, ku të gjithë garojnë me rregulla dhe kontribute të barabarta në Republikën e Shqipërisë. Për këtë qëllim, Shoqata është gjithnjë në mbështetje të iniciativave të cilësdo qeveri që kontribuon për një klimë të përshtatshme për zhvillimin e shëndetshëm dhe pa informalitet të bizneseve në vend”, përfundon deklarata.