Byroja e Kuvendit ka vendosur përjashtimin e 6 deputetëve të opozitës dhe të ministrit Bushati nga parlamenti, pas dhunës në seancën e sotme parlamentare.
Pas diskutimeve në mbledhje, vendimi u mor vetëm me praninë e deputetëve të shumicës, pasi opozita u largua.
Deputetët përjashtohen për 10 ditë nga parlamenti
Deputetët e opozitës që u përjashtuan për 10 ditë janë Edi Paloka, Flamur Noka, Klevis Balliu dhe Ervin Salianji nga Partia Demokratike dhe Braimllarit e Mehmetajt nga LSI. Deputetët e opozitës hodhën miell, vezë dhe letra në drejtim të kryeministrit Edi Rama dhe ministrave në seancën e sotme.
Gjithashtu deputetët e LSI mbanin pankarta ofenduese ndaj Ramës. Ndërkohë që ministri Bushati u përjashtua, pasi pas sulmit të opozitës reagoi duke hedhur ujë në drejtim të deputetëve demokratë dhe të LSI.
Edhe pse kërkoi falje, kryetari i Kuvendit Ruçi kërkoi përjashtimin e tij nga punimet e Kuvendit për 10 ditë dhe kërkesa u miratua në Byro pasditen e sotme.
Debatet në Byronë e Kuvendit
Paloka-Hysenit: Kam bërë burg për politikë, po kurrë për vjedhje pronash
Flamur Noka: Solla miell nga kuksianët e mia, sepse ata aq mundësi kishin, mbase Rama do miell tjetër
Ervin Salianji: Keni prova ose fakte që vërtetojnë demin tim? Kemi dëgjuar që vetëm mielli e sjell në vete, e futëm në kuvend. I kam futur tek e tek.
Endrit Braimllari: Kryeministri ofendoi rëndë shqiptarët. Frazat e Ramës juve ju duken poezi por ato janë ofendimet më të rënda që i bëhen popullit. Shqiptarët janë provokuar nga Edi Rama duke i krahasuar me organ gjenital. Ky kryeministër e ka humbur te drejtën legjitime për të drejtuar tani cdo gjë i mbetet në dorë popullit. Ministri i Jashtëm është sjellë si një ordiner. Provokoi rendë opozitë duke i hedhur ujë