Ambasada Amerikane në Tiranë ka njoftuar përmes një postimi në rrjetet sociale se SHBA po siguron transport për 12 ekipe gjurmuese në Shqipëri, të cilët do të ndihmojnë për të përshkallëzuar testimet për COVID-19, gjurmimin e kontakteve dhe mbikëqyrjen e sëmundjes.
Siç thekson ambasada e SHBA, kjo mbështetje që vjen nga USAID do t’u japë mundësinë ekipeve gjurmuese që të kryejnë këtë punë të rëndësishme në komunitete të largëta.
“Qeveria e Shteteve të Bashkuara, përmes USAID-it, po siguron transport për 12 ekipe gjurmuese, të cilët do të mbështesin strategjinë e Ministria e Shëndetësisë për të përshkallëzuar testimet për COVID-19, gjurmimin e kontakteve dhe mbikëqyrjen e sëmundjes. Strategjia u shpalos këtë javë nga Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu dhe mbështetja e USAID do t’u japë mundësinë ekipeve gjurmuese që të kryejnë këtë punë të rëndësishme në komunitete të largëta. #KrahPerKrah”, thuhet në njoftimin e ambasadës.