Një raport i kryer së fundmi për kushtet teknike të godinës së Teatrit Kombëtar nga 9 inxhinierë dhe 2 arkitektë hedh alarmin për rrezikshmërinë që paraqet gjendja aktuale e ndërtesës për jetën e aktorëve dhe spektatorëve. Raporti i kryer nga Instituti i Ndërtimit të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në 23 mars 2018 thotë se nga inspektimi i situatës së godinës situata paraqitet shumë problematike sepse “vihen re përkulje dhe dëmtime në disa zona të soletës. Ambientet nuk ofrojnë kushte optimale jo vetëm për stafin, por edhe për qytetarët, të cilët e frekuentojnë shpesh atë”.
Në përfundimin e ekspertizës, inxhinierët dhe arkitektët shprehen se “kushtet aktuale të godinës së Teatrit Kombëtar nuk janë të përshtatshme për kryerjen e aktiviteteve për të cilat është projektuar. Ato janë jashtë normave të projektimit të godinave të këtij lloji”.
Inxhinierët dhe arkitektët dalin në përfundimin se “riparimi i objektit dhe sjellja në kushtet teknike të sotme, përbën një vështirësi. Ajo kërkon kosto të larta disa herë më tepër se kostoja minimale fiskale dhe një ndërhyrje rrënjësore në 90% të objektit. Kërkon ndërhyrje në themele, në strukturën mbajtëse të objektit, në çatinë e objektit, si dhe në soletat e ndërkateve. Ndërhyrja sado e madhe të jetë në objekt, nuk e sjell në kushtet optimale optimale teknike të sotme sipas kodeve të projektimit”, konkludojnë në raportin e tyre 11 inxhinierët dhe arkitektët që përbëjnë grupin e punës.
Inspektimi
Bazuar në inspektimin e kryer në terren nga grupi i ekspertëve theksohet se objekti i ndërtuar në vitin 1938, “do të ishte një lloj ‘eksperimenti’, i cili konsistonte në përdorimin e drurit si material kryesor konstruktiv, ku në disa raste përdorej bashkë me betonin”. Ata janë të mendimit se pavarësisht rikonstruksioneve të pjesshme të godinës, qoftë në ambientet e brendshme, si dhe në ato të jashtme, godina vazhdon të jetë tejet e degraduar.
Vlerësimi teknik nënvizon se “rifiniturat e jashtme të objektit për shkak të prezencës të lagështisë dhe mykut, kryesisht në disa pjesë të fasadës veriore, rezultojnë të plasaritura dhe të çara. Gjithashtu, vihen re degradime edhe në kasat e dritareve, të cilat bëhen shkak jo vetëm në degradimin e rifiniturave rreth dritareve, por edhe në mosizolimin e mirë termik dhe akustik të godinës”.
Alarmi ngrihet edhe sa i takon ambienteve të brendshme të Teatrit, të cilat kanë prezencë të madhe të lagështirës, ndërkohë që çarjet kanë dëmtuar edhe një nga elementët e rëndësishëm që duhet të ketë një godinë e tillë, akustika. “Degradim i materialeve (drurit) konstruktive të shkallëve, të cilat realizojnë lëvizjen vertikale. Plasaritje dhe çarje në shtresat e shtrimit të dyshemesë. Disa prej ambienteve të brendshme rezultojnë të pashtruara, duke shkaktuar jo vetëm probleme në anën estetike të objektit, por edhe në akustikën e tij. Mungesa e dritës natyrale në disa prej ambienteve të brendshme (të shfrytëzuara nga stafi), si pasojë e mbylljes të disa prej dritareve ekzistuese. Pjesa e tavanit, në pjesën më të madhe të godinës është shumë e degraduar dhe në të ka prezencë të çarjeve dhe plasaritjeve të tij, kryesisht në ambientet e katit të tretë”, janë disa prej konstatimeve të këtij raporti.
Problematike paraqitet situata edhe në disa elementë të tjerë strukturor të godinës, çka sjellin rrezik për sigurinë e atyre që punojnë në të dhe të qytetarëve që ndjekin shfaqjet. Kështu, në faqen perëndimore të objektit shihet një degradim lokal, ku në disa elementë prej druri vihen re deformime të dukshme dhe kalbje. Po ashtu, vihen re dëmtime në një pjesë të pllakave të populit. “Vende-vende betoni është i dëmtuar. Në pjesët e zbuluara vihet re dukuria e segregacionit të betonit, kjo dukuri ndikon jo vetëm në aftësinë mbajtëse të betonit, por edhe lidhjen beton-çelik. Në pjesët e zbuluara është i dukshëm korrodimi i çelikut. Ky fenomen sjell zvogëlimin e seksionit tërthor të shufrave dhe zvogëlimin e karakteristikave mekanike të materialit, rrjedhimisht zvogëlohet aftësia mbajtëse e shufrave”, thuhet në raport.
Mungesa e kushteve të sigurisë dhe zjarret
Instituti i Ndërtimit shpreh shqetësimin dhe për kushtet e sigurisë së aktorëve, të cilët punojnë në këtë institucion, por edhe të spektatorëve që vijnë për të ndjekur këto shfaqje. Arsyeja është mungesa e daljeve të emergjencës, mjeteve ndihmëse dhe e shenjave orientuese për evakuimin e njerëzve në këto raste. Ana arkitektonike, mënyra e ndërtimit dhe materialet e përdorura e klasifikojnë këtë në objekt te kategorisë IV, që referuar rregullores së PMNZSH mbi Projektimin e Ndërtesave, materialet e përdorura për teatrin, nën ndikimin e zjarrit ose të temperaturës së lartë vazhdojnë të digjen edhe pas heqjes së zjarrit.
Mungesa e hapësirave për veprimtarinë
Në raportin e inxhinierëve theksohet se godina aktuale nuk ka as ambientet e nevojshme për të plotësuar nevojat e artistëve dhe të spektatorëve, duke sjellë mosfunksionim të teatrit sipas një skeme të saktë organizimi dhe qarkullimi. Një pjesë e këtij mosfunksionimi vjen nga mungesa e hapësirave të nevojshme për kryerjen e aktivitetit, e cila ka sjellë në bllokimin e disa lozhave dhe riorganizime të ambienteve ekzistuese për të plotësuar disa nga kërkesat që i paraqiten teatrit të sotëm. Gjithashtu, duke iu referuar dhe normativave për projektimin e teatrit, grupi i ekspertëve vlerëson se mungesa e hapësirave (mjediseve) dhe organizimit duhet të rishikohet dhe rikonceptohet.
“Është e nevojshme një skenë dytësore në të cilën mund të realizohet transporti gjatë kohës së ndërrimit të skenave. Dhoma e skenerisë e cila përcaktohet në bazë të produksioneve, por në bazë të praktikave dhe eksperiencës duhet të jetë 3 herë më e madhe se skena kryesore”, thuhet më tej ndërsa evidentohet dhe mungesa e tualeteve dhe e sistemit të ngrohjes.
Përfundimet e raportit
Për rrjedhojë, grupi i inxhinierëve dhe arkitektëve që kanë bërë vlerësimin e kushteve teknike të këtij objekti, kanë arritur në konkluzionin se riparimi i godinës aktuale është i vështirë, kërkon një kosto të lartë dhe mbi të gjitha nuk mund të sjellë kushte optimale për një teatër bashkëkohor.
Grupi i punës
Ing. Agron Hysenlliu
Ing. Gramos Dushku
Ing. Anila Xhahysa
Ing. Stela Bita
Ing. Arjan Çika
Ing. Silvana Pasho
Ing. Mamica Shehi
Ing. Blerina Gjini
Ing. Afrim Çenga
Ark. Denada Gjoka
Ark. Ermal Draçi