Nga Dritan Musta
Opozita shqiptare trazoi sërish sallën e parlamentit me sulmet fizike ndaj kryeministrit, duke u justifikuar më një fjali klishe të gjuhës politike, “në emër të qëndresës qytetare”.
Kjo “qëndresë” sipas Kryemadhit e Bashës bëhet në emër të kuksianëve të burgosur, lidhjeve të qeverisë me krimin e të tjera arsye si këto, por ajo që vështirë se gjen justifikim është se pse deputetëve u shkon ndërmend të marrin me vete miell për të goditur kryeministrin në shenjë proteste.
Kjo sellje e paramenduar dhe e parapërgatitur nga opozita, agresive dhe jashtë çdo norme, të lë të kuptosh se arsyeja është përtej fjalimeve shabllone “për krimin e drogën që ka kapur vendin”.
Fjalori denigrues, aktet e dhunës, reflektojnë as më shumë e as më pak frikën nga drejtësia e vërtetë dhe asaj që mund të sjellë reforma në drejtësi. Agresiviteti i Flamur Nokës, Lulzim Bashës, Monika kryemadhit nuk është revoltë për kuksianët, por panik nga ajo që i pret.
Në këtë logjikë, problemi i tyre nuk është Edi Rama, por shteti ligjor që duhet ta shmangin me çdo kusht. Nuk është rastësi që të dy, Basha e Kryemadhi intensifikojnë gjuhën e baltës dhe vrerin mbi të ardhmen e vendit në një moment të rëndësishëm, kur pritet që Komisioni Europian t’i japë dritën jeshile të ardhmes europiane të Shqipërisë.
Në 17 Prilll pritet që KE të japë një rekomandim pozitiv për integrimin e Shqipërisë në BE. Edhe pse në favor të Shqipërisë, kjo nuk është në favor të Kryemadhit e Lulzim Bashës.
Integrimi Europian dhe një Shqipëri që progreson përmes reformash nuk janë as të dëshiruara nga dy politikanë të zhytyr deri në grykë në korrupsion, vjedhje, abuzimesh me ligjin. Në panikun për të shpëtuar kokën, e vetmja alternativë për ta mbetet futja e një thike pas shpine Shqipërisë, duke e nxirë me çdo kusht e duke ia blatuar çdo faj e çdo kosto vetëm Edi Ramës.
Në fakt, kostoja e sjelljes së Bashës nuk bie mbi Edi Ramën, por mbi shqiptarët, nuk bie mbi qeverinë por mbi Shqipërinë. Shfaqja e sotme e opozitës i tregon partnerëve tanë se në Shqipëri, vendin që po lufton kaq shumë përmes reformash për arritjen e standardeve europiane, kemi të bëjmë edhe me një grusht politikanësh të pamaturuar, që janë gati të vendosin veten dhe partinë mbi Shqipërinë.