Familja Berisha, prej muajsh është në një luftë të egër me drejtorin e Top Channel, Ben Blushi.
Gjithçka nisi pas një sherri të Aleksandër Frangajt me Blushin.
Konflikti Blushi-Berisha është shoqëruar me akuza të forta mes të dyja palëve, nëpërmjet mediave të tyre.
Nuk dihet se çfarë e ka ndezur këtë konflikt të egër, pasi vetëm tri vite më parë, Ben Blushi ishte i preferuari i Berishëve dhe mediave të tyre, për shkak se ishte një kritik i ashpër i Edi Ramës.
Por, ajo që të bën përshtypje dhe është interesante këto dy ditët e fundit, është përfshirja e disa njerëzve të rëndësishëm të LSI-së, në këtë konflikt.
Fillimisht ishte Nikoll Lesi, botues i gazetës “Koha Jonë”, e cila njihet tashmë si zëri zyrtar i LSI-së dhe Ilir Metës.
Ai e mori fort në mbrojtje Blushin, ndoshta edhe si miq e kolegë të dikurshëm, duke kërkuar nga opozita dhe mediat pranë saj, të mos merret me të.
Sot ka qenë radha e një tjetër eksponenti të lartë të LSI-së, ish-ministrit Ylli Manjani, që të mbrojë Blushin.
“E pabesueshme që në atë pak hapësirë publike të opozitës, zënë vend “bëmat” e Ben Blushit familjarisht.
Druaj se asnjë ministër i qeverisë së sotme nuk ka marrë aq hapësirë nga kritika e mediave pro opozitë…
More me cilin është beteja opozitare, me Ramën apo me Blushin?! Ky i fundit nuk merr asnjë vendim në emrin tonë dhe si jep askujt hesap për punët e veta.
Sinqerisht se kuptoj!
Po na shitet Rama si politikani e modeli më i pastër në këtë vend, duke gogolizuar çdo njeri tjetër…”, shkruan Manjani.
Mbrojtja ndaj Blushit vjen në një moment, kur ky i fundit ka nisur një sulm frontal ndal familjes Berisha dhe veçanërisht Shkëlzenit.
Ndaj dhe kjo ndërhyrje e LSI-së duket paksa e çuditshme, duke parë marrëdhëniet Meta-Berisha.
Dy shpjegime mund të ketë për këtë: Ose Meta ka ndonjë kunjë me Shkëlzenin, ndaj dhe mbron Blushin, ose ky i fundit ka gati ndonjë “dosje” për Metën dhe presidenti është duke i bërë parapritë, për ta pasur mirë me të.
(TemA)