Presidenti i Republikës Ilir Meta kujton 8 gushtin e vitit 1944 kur rreth 300 të rinj antifashistë u mblodhën në malet e Skraparit për të nisur Kongresin e Parë të Rinisë Antifashiste të Shqipërisë.
Kreu i Shtetit bën me dije se mes tyre ishte edhe partizani më i vogël në moshë, Sabri Godo, i cili festonte 15-vjetorin e lindjes.
Me këtë rast Meta jep një mesazh të fortë duke theksuar se është momenti të kërkojmë një angazhim më të fortë të rinisë në mbrojtje të lirisë dhe rrugës europiane.
Mesazhi i Presidentit Meta:
Në 8 gusht të vitit 1944 rreth 300 të rinj antifashistë u mblodhën në malet e Skraparit të çliruar për të nisur Kongresin e Parë të Rinisë Antifashiste të Shqipërisë.
Delegatët vinin nga mbarë vendi, nga zonat e çliruara dhe ato ende të pushtuara, nga formacionet partizane dhe shkollat e mesme që ishin kthyer në qendrat kryesore të antifashizmit në Shqipëri.
Atë ditë, delegati më i ri, partizani Sabri Godo, pas një udhëtimi pafund në këmbë për ditë të tëra do festonte 15-vjetorin e tij. Ishin kohë të mëdha idealesh për Liri.
Kërkoheshin sakrificat më sublime dhe Rinia e Shqipërisë nuk i kurseu ato deri në çlirimin e plotë të vendit.
Duke nderuar sot me përulësi sakrificat e jashtëzakonshme të asaj gjenerate të jashtëzakonshme, është momenti të kërkojmë një angazhim më të fortë të rinisë tonë në mbrojtje të lirisë dhe rrugës europiane të vendit.