Reali u kualifikua në gjysmëfinale të Champions League, por Juventusi proteston fort, aq sa e quan arbitrin e ndeshjes të blerë. Gazeta e njohur spanjolle “AS”, që operon edhe në versionin online dhe që njihet si e lidhur fort me Realin, ka marrë opinionin e një emri të njohur të gjykimit, Iturralde Gonzalez, për episodin shumë të diskutuar të ndeshjes ndaj Juventusit, penalltinë e akorduar në fund. Spanjolli, ish-gjyqtar i FIFA-s nga vitit 1998, deri në vitin 2012, mendon se penalltia e dhënë nga anglezi Majkëll Oliver ishte e gabuar. “Shtyrja e Benatia nuk është e mjaftueshme. Nuk duhej që të sinjalizohej penallti për një rast të tillë”, tha ai, duke bërë të qartë se bilbili anglez kishte vepruar gabim në këtë rast.
Nga ana tjetër, ish-gjyqtari anglez Graham Poll, duke folur për “Daily Mail”, e anashkalon momentin e dhënies së penalltisë dhe merret me sjelljen e lojtarëve të Juventusit gjatë protestës, duke thënë se kartoni i kuq për Bufon ishte i drejtë. Thuajse të gjithë bien dakord që arbitri anglez Oliver gaboi që dha penallti. “Ai u rrethua nga lojtarët dhe përballë një trysnie të tillë qëndroi i qetë dhe dha vendimin e drejtë duke ndëshkuar lojtarë për një sjellje të tillë të palejuar”, tha ish-gjyqtari i FIFA-s. megjithatë, shumica e sportdashësve në rrjetet sociale shkruajnë se Juventusi u vodh në këtë ndeshje dhe Realin e ndihmoi arbitri të kualifikohet. /Pamfleti Sport