Xhixhi Bufon e ka të vështirë të kapërdijë eliminimin nga Champions League në një ndeshje ku skuadra e tij po fitonte deri në minutën e tretë shtesë, 3-0, dhe po shkonte në shtesën e madhe 30-minutëshe, por gjyqtari ia prishi ëndrrën.
Bufon tha pas ndeshjes: “E vërteta është se jemi njerëz të sportit, njerëz të futbollit. Dimë se si të përballemi me këto sfida. Nëse gjyqtari nuk e bën dot një gjë të tillë, atëherë të qëndrojë në tribunë me gruan e tij dhe të lërë dikë tjetër që ta bëjë këtë punë”. Më tej, Bufon deklaroi: “Ishte thjesht një aksion i dyshimtë në minutën e 93-të, pasi nuk na u dh neve një penallti në Torino në minutën e 95-të.
Arbitri nuk mund të jetë kaq cinik sa të shkatërrojë ëndrrën e një skuadre që po jepte gjithçka që duhet në fushë. Një qenie njerëzore nuk mund të vendosë eliminimin e një ekipi. Në të kundërt duhet të mendojmë se në vend të zemrës ka një kosh mbeturinash. Nuk mund të shkatërrosh gjithçka për shkak se nuk ke kurajë të qëndrosh në këto nivele. Real Madrid ishtë më mirë se ne, do ta fitojë prapë Champions League. Për mua është nder të përballem me këta futbollistë, por të paktën meritonim të shkonim në shtesë.
Çfarë i thashë gjyqtarit? Në ato momente mund t’i thoja gjithçka. Por, ai duhet të ketë ndjeshmërinë për të kuptuar. Nëse nuk e ke, qëndro në tribunë dhe mendo që nuk mund të arbitrosh të tilla ndeshje. E ëndërronim përmbysjen, por tani na mbetet vetëm zhgënimi dhe zemërimi. Më vjen keq që e lashë ekipin me një lojtar më pak. Tani të kthehemi furishëm në kampionat, duke nisur nga kjo fundjavë”, shtoi kapiteni juventin. /Pamfleti Sport